Shendet

Ndryshimi i gjakut, një mit dhe gënjeshtrat për aneminë

Stina e pranverës vjen gjithmonë me shqetësime shëndetësore për njerëzit. Disa nga këto shqetësime ne shqiptarët i shpjegojmë me “ndryshimine gjakut” brenda trupit tonë. Shumica mendon se gjaku në pranverë hollohet, ndaj mendojnë të jenë më të kujdesshëm, veçanërisht me konsumin e ushqimit.

Një prej hematologëve në Spitalin Amerikan, Dr. Shk. Sotiraq Lako, i tha Gazetës “Si” se këto ide janë thjesht një mit nga e kaluara, pasi ndryshimi i stinëve nuk ka lidhje me gjakun.
“Ajo çka duhet të fiksojmë është që ky problem nuk ekziston realisht. Është e pamundur të justifikohemi me këtë fakt, sepse gjatë gjithë jetës tonë, ne vazhdimisht na shkatërrohen rruaza të kuqe, rruaza të bardha, trombocite dhe po aq zëvendësohen me të reja, është një proces i pandalshëm. Nëse ky do të ndalte qoftë për një periudhë kohe të shkurtër atëherë në do të vuanim nga mungesa e elementëve përkatës,” shprehet Dr.Lako.
Sipas tij, në trupin e njeriut në çdo sekondë ikin 200 milionë rruaza të kuqe dhe po aq hidhen në qarkullim dhe kjo ndodh për gjithë jetën.
“Atëherë çlidhje kanë stinët këtu? Aq më tepër që rruazat e kuqe janë elementi më i madh i qelizave të gjakut në qarkullim. Kjo gjë ka ngelur një mit, pasi të parët kanë menduar se në fillim të pranverës gjaku hollohet, kështu që është shumë e vështirë të heqim këtë ide nga mendjet e njerëzve,” shton ai.

Dr. Shk. Sotiraq Lako

Dr. Lako thotë se idetë e njerëzve nuk mund të ndryshojnë as me fakte shkencore, por një problem më i madh që hematologu parashtron, është se këto ide janë edhe në mendjen e mjekëve. Përgjithësisht të mjekëve të familjeve.
“Ne duam që të edukojmë popullin, por është shumë e vështirë. Të paktën të edukojmë mjekët të cilët besojnë në mitet popullore,” shton hematologu.
Mjeku gjithashtu parashtron një problem edhe më të madh që ekziston në vendin tonë. Mënyra se si faktet shkencore apo dhe ato jo të tillat, paraqiten tek njerëzit. Sipas tij, ata janë të prirur të besojnë më shumë atë çfarë thuhet nga mjekët popullorë, se sa atë çfarë thonë specialistët. Dr. Lako shprehet se miti i “ndërrimit të gjakut” është një ndër të paktët, që ka ndikuar në mënyrën se si njerëzit kujdesen për veten, pasi një mori informacionesh në ditën e sotme bëjnë që për sëmundje të ndryshme të dalin teori që nuk janë të cilësuara nga shkenca.

“Ky mit ka ngelur kot, ashtu siç ka ngelur që anemia vjen nga ushqimet. Nuk ka anemi që shkaktohet nga ushqimet dhe që korrigjohet me ushqimet. Njerëzit janë të prirur të thonë se do ushqehen shëndetshëm, por anemia për shembull është një problem shëndetësor që nuk zgjidhet kështu. Me ushqime mund të marrësh 14 miligram hekur, ndërsa për të mbushur depot e hekurit duhet 200 miligram në ditë,” shton Dr Lako.
Sipas tij, në vendin tonë ndodhin një sërë çudirash me mjekësinë. Ai thotë se është e pafalshme që një mjek të shprehet se mënyrat e ndryshme popullore, mund të shpëtojnë njerëzit nga një sëmundje e caktuar.
“Në vendin tonë, trajtojnë edhe kancerin me mjaltë dhe qumësht blete, kështu që kur dëgjojmë se anemia trajtohet me vezë thëllëze apo spinaq, nuk alarmohemi. Këto ide janë tepër të gabuara dhe mua më vjen keq që njerëzit i besojnë,”.
Për të, një tjetër shqetësim është se mjekët sot veprojnë duke trajtuar sëmundjen pa gjetur shkakun e saj.

“Jo vetëm në vendin tonë, por edhe në botë humbjet e padukshme të hekurit, sidomos të përsëritura janë kthyer në një problem. Mungesa e hekurit nëse instalohet, nuk vetëkorrigjohet më. Për faktin që mungesa e hekurit është e zakonshme në praktikë, për rrjellojë edhe anemia nga mungesa e hekurit është më e zakonshmja. Tek femrat përgjithësisht humbja e gjakut është normale për shkak të menstruacioneve, por tek meshkujt humbja e gjakut mund të jetë një ulçer, mund të jetë një gastrit, mund të jetë një kancer, i cili pikon gjak në mënyrë të vazhdueshme. Zbulimi i shkakut është më i rëndësishëm se sa trajtimi i sëmundjes,” shprehet mjeku.
Gjithashtu në “tablonë” e tij informative ai ka të ruajtura edhe një sërë artikujsh mjekësorë të cilat japin këshilla të gabuara për trajtimin e sëmundjeve.
“Ne kemi parë shumë raste kur nga kanceri i zorrëve dhe i stomakut është shkaktuar anemia dhe ndërkohë që përpiqemi të kurojmë aneminë ose mungesën e hekurit, kanceri vazhdon të evoluojë. Kështu që duhet të kërkojmë shkakun, e më pas të zgjidhim problemin,” shprehet Dr. Lako.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë