Kodi Penal kërkon shumicë të cilësuar prej 84 votash në Parlament, të cilat mazhoranca nuk i ka, ndaj kur drafti i saj, që ashpërson dënimet për një sërë veprash penale aktuale dhe kriminalizon disa të tjera të votohet në seancë plenare, do t’u japë mundësi socialistëve që të kuptojnë më mirë qëndrimin e deputetëve të rinj të dalë nga listat e PD-së dhe LSI-së.
Deri më tani, deputetët që refuzuan lënien e mandateve dhe ata që refuzuan mosmarrjen e tyre nuk kanë shfaqur një qëndrim të unifikuar në ato pak çështje për të cilat kanë ngritur kartonin në Kuvend. Për vetë rëndësinë dhe numrin e votave që kërkon, Kodi Penal do të krijojë një panoramë më të qartë për qëndrimin e deputetëve të rinj, jo vetëm për mazhorancën, por edhe për opinionin publik.
Testi do të jetë nëse do të jenë të bashkuar, pavarësisht qëndrimit që do të mbajnë për t’i përçuar një sinjal Kryeministrit Edi Rama, i cili në seancat e para pas djegies së mandateve nga PD dhe LSI u zotua të çojë përpara reformën zgjedhore dhe të gjitha reformat e tjera me opozitën e re.
Propozimet për të ndryshuar Kodin Penal nuk janë të parat që ndërmerren nga mazhoranca e drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, por këtë radhë këto propozime duket sikur zunë të papërgatitur opinionin publik.
Ndërhyrjet ashpërsojnë disa vepra penale ku më kryesoret janë ashpërsimet e dënimeve për kanosjen për shkak të detyrës, për sigurinë ushqimore, për mjekimin e pakujdesshëm dhe për dhunën në stadiume. Të gjitha këto tematika kanë qenë në qendër të vëmendjes kohët e fundit.
Rastet e kanosjes për shkak të detyrës janë më të shumtat. Ato fillojnë që prej kërcënimeve ndaj punonjësve të policisë që vihen përballë protestuesve të opozitës, e deri tek rastet e përsëritura të dhunës ndaj mjekëve.
Për neglizhencë në mjekim i bujshëm ishte rasti tragjik i një të reje që ndërroi jetë sapo lindi fëmijën në maternitetin e Elbasanit. Familjarët e të ndjerës akuzuan mjekët për neglizhencë, pasi anestezisti nuk kishte kryer kontrollin e pacientes pas kryerjes së vaksinës, ndërkohë që mjeku kirurg, sipas tyre, mbërriti me vonesë në spital.

Siguria ushqimore është një tjetër kapitull që është vendosur në qendër të vëmendjes pas disa transmetimeve televizive, ku pretendohet sesi fermerët në zonën e Beratit përdorinin pa kriter pesticide dhe hormone të rrezikshme për shëndetin për rritjen e pjekjen artificiale të fruta-perimeve.
Dhuna në mjediset sportive ka qenë gjithashtu një problematikë, që kulmoi me rastin në ndeshjen Kamza-Laçi, ku tifozë dhe zyrtarë të klubit vendas hynë në fushë dhe goditën me grushte gjyqtarin e takimit.
Pra, asnjëra prej këtyre çështjeve nuk është e re në për shoqërinë shqiptare. Ndryshimet u propozuan nga Edi Rama fill pas rikthimit nga Berlini ku ndodhej për të marrë pjesë në samitin e radhës në kuadër të procesit të Berlinit. Gjatë punimeve të këtij samiti dhe pak orë pas përfundimit të tij, në Tiranë gëluan artikujt me lajmin se Shqipërisë i ishte refuzuar hapja e negociatave në qershor.

Ky ishte lajmi i parë, por jo më i bujshmi. Më të bujshmin do ta prodhonte Ramush Haradinaj me deklaratën kundër Ramës e Thaçit, të cilët i akuzonte se i kishin ushtruar presion edhe më shumë se vetë Vuçiç për të hequr taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe, duke folur në gjuhë të huaj që të dëgjoheshin edhe nga Presidenti Macron, edhe nga Kancelarja Merkel.
Kryeministri iu përgjigj të parës. Akuzoi “kazanin” e Tiranës për ligësi dhe tha se shtyrja e negociatave për në vjeshtë nuk ishte një vendim politik, por pasojë e një detaji teknik, siç ishte mungesa e kohës që Bundestagu gjerman që të shqyrtonte raportin e Komisionit Europian, që del në fund të majit, brenda muajit qershor.
Përgjigje i ktheu edhe Ramush Haradinajt, duke deklaruar se ajo çfarë i kishte kërkuar nuk kishte qenë heqja e taksës, por pezullimi i saj për 4 ose 6 muaj për t’i dhënë mundësi rinisjes së dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Veç kësaj, disa analistë dhe media në Prishtinë e Tiranë e cilësuan samitin një fitore të Ramush Haradinajt, një kundërshtar i orëve të parë kundër idesë së ndryshimit të kufijve.
Ideja e hedhur nga Hashim Thaçi gjeti fillimisht mbështetjen në heshtje nga Edi Rama në Tiranë. Më pas, kur kjo ide nuk u përjashtua nga Shtetet e Bashkuara, Kryeministri i Shqipërisë doli më hapur pro këtij opsioni. Por, kundër ndryshimit të kufijve është rreshtuar që në fillim Gjermania dhe samiti Berlinit u interpretua si akti që varrosi projektin për rishikimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Nisur nga të gjitha këto, propozimet për ndryshime në Kodin Penal përveç synimit që kanë për të rritur sigurinë dhe rendin publik, dashje pa dashje prodhuan edhe një debat, duke e zhvendosur vëmendjen nga samiti i Berlinit dhe nga ajo çfarë përfitoi Shqipëria prej këtij samiti, tek një debat më i brendshëm e konkret.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




