Samiti i Berlinit duket se ka nxjerrë edhe njëherë në pah jo vetëm ndasinë mes presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, por edhe përplasjet e këtij të fundit me kryeministrin Edi Rama. Sipas kreut të qeverisë së Kosovës, në Gjermani ai ndodhej i vetëm përballë “boshtit” Thaçi-Rama. Duke rrëfyer për bisedimet e mbajtura prapa dyerve të mbyllura, Haradinaj ka pohuar se si presidenti Thaçi, dhe kryeministri i Shqipërisë i kanë bërë presion më shumë sesa liderët e tjerë për ta hequr taksën ndaj produkteve serbe.
“Dje u përsërit ajo që më ka ndodhur edhe në të kaluarën”, rrëfeu Haradinaj. Isha krejtësisht i vetëm në një qëndrim. Edhe presidenti edhe Edi Rama më shumë bëni presion për të hequr taksën, madje më sesa shtetet tjera. Të gjithë insistonin për të respektuar qëndrimin e kancelares Merkel dhe Macronit, që ky është një shans i mirë për Kosovën e që nuk duhet humbur. Një insistim direkt i pandalshëm. Në një gjuhë që ishte në anglisht, qe e merrnin vesh, edhe kancelarja edhe presidenti Macron”, ka thënë Haradinaj në një intervistë ekskluzive për “T7”
Duke ka reaguar në “Facebook” pas deklaratave të Haradinajt, Rama shprehet se askush nuk i ka bërë presion kreut të qeverisë së Kosovës në Berlin për të hequr taksën ndaj Serbisë, por vetëm i është dhënë sugjerim. Madje Rama akuzoi publikisht Haradinajn se gënjeu për të dalë burrë i mirë.
“Si rregull udhëheqësit nuk i komentojnë në publik bisedat mes tyre e sidomos ato informale, aq më tepër pa rënë dakord paraprakisht dhe lere pastaj t’i shtrembërojnë, duke gënjyer për të dalë “burra të mirë” para popullit te tyre, si të ishin duke shitur mish në Pazar”, shkruan Rama në “Facebook”. “Askush s’i ka bërë Ramushit presion në Berlin për të hequr taksën. Unë jo e jo. Madje askush as i’a ka kërkuar hiç që ta heqë taksën! Unë jo e jo. Përkundrazi. Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron, kanë nxitur një diskutim informal në holl mbi rifillimin e dialogut. Kam ndërhyrë vetëm njëherë, duke thënë se ata duhet të hynin vetë në proces. Më tutje i kanë kërkuar më shumë durim dhe disa herë Ramushit jo ta heqë taksën, po thjesht të japë pëlqimin që taksa të pezullohet përkohësisht, për 6 muaj apo edhe për 4 muaj qoftë, duke u zotuar që të hyjnë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi ata vetë. Edhe të dy personalisht, kancelarja dhe presidenti!”, shkruan Rama.
Megjithatë, me tej kreu i qeverisë shqiptare thekson se i ka sugjeruar Ramushit në dy momente të pranojë heqjen e taksës. “I kam sygjeruar të pranojë këtë kërkesë të Merkel dhe Macron, sepse kam menduar dhe mendoj që përfshirja direkte në nivelin më të lartë e Gjermanisë dhe Francës, boshtit të Bashkimit Europian, u shfaq si një mundësi e re dhe shumë e favorshme për ta shtruar çështjen e finalizimit të dialogut, në nivelin më të lartë të mundshëm”, thekson kryeministri. E kam mbështetur dhe e mbështes edhe sot taksën si një “klithëm” të Kosovës, që ta dëgjojë bota dhe si të tillë edhe e kam mbrojtur, kudo e me këdo. Po unë di që ajo është një taksë që i është vënë Serbisë, jo një mur që i është vënë Gjermanisë, Francës apo SHBA, për t’i ndaluar ta ndihmojnë e ta mbështesin Kosovën, në rrugën e përpjekjes së mundimshme historike drejt njohjes përfundimtare nga gjithë bota. Dhe kur këta aleatë të mëdhenj dhe të pazëvendësueshëm dot nga askush e askurre (pa të cilët jo Ramushin, po as Kosovën dhe të drejtën e saj njëqind vjet të mohuar s’do ta njihte kurrëkush ende sot), kërkojnë thjesht pezullimin e përkohshëm të taksës, në mënyrë që të mund ta ndihmojnë e ta mbështesin Kosovën drejt njohjes së saj të plotë ndërkombëtarisht, refuzimi është i pakonceptueshëm për mua.
Kreu i qeverisë shpjegon po ashtu se asnjë nuk e pengon të flasë për Kosovën.
“Shtoj këtu se më ka mbetur gozhdë fakti që miqtë e mëdhenj, hasën në një refuzim të pashpjegueshëm edhe kur propozuan që përkundër pezullimit të përkohshëm të taksës, nëse në fund të muajve të dialogut nuk do të arrihej objektivi final i nënshkrimit të paqes, atëherë do t’i hapej përfundimisht rrugë liberalizimit të vizave për Kosovën(!). Gjithsesi, meqë Ramushi u qa publikisht se unë i paskësha bërë më shumë presion se sa Vuçiçi për heqjen e taksës, mua s’më mbetet tjetër veçse të ngushëllohem me faktin që pas samitit edhe Vuçiçi, u shpreh publikisht ndaj meje po aq i palumtur sa Ramushi.S’kam dashur dhe s’dua të hyj asnjëherë në polemika publike me askënd në Kosove, aq më pak me kryeministrin e Kosovës. Uroj që të mos jem i detyruar ta bëj përsëri. Ai ka të drejtën e tij të flasë në emër të Kosovës, po mua s’ma heq dot askush të drejtën të flas për Kosovën” shkruan Rama.
Duke komentuar deklaratat e Ramës, kryeministri Ramush Haradinaj u përgjigj të enjten me thënien e At Zef Pllumit “Rrno me tregue”, duke theksuar se kishte edhe persona të tjerë në samit që janë dëshmitarë të asaj se që ka ndodhur.
“Për mua shqiptarët edhe të majtë edhe të djathë janë vëllezërit mi ua kam borxh të vërtetën. ‘Rrno me tregue’ do të tregoj të vërtetën edhe kur i pëlqen edhe kur i pëlqen dikujt. Shyqyr që në Berlin kishte persona të tjerë që mund të tregojnë të vërtetën”, tha Haradinaj.
Përplasja Rama-Haradinaj vjen vetëm disa muaj pas një takimi të përbashkët të dy qeverive, ku kryeministri i Shqipërisë kishte dalë në mbrojtje të taksës. “Tarifa 100% është një vendim iracional në kushte normale, por krejt normal në kushte iracionaliteti si ato që përvijon qasja e dyfyrë e Serbisë. Kush e sheh tarifën 100% si aspekt ekonomik atëherë gabon, por kjo tarifë është si kundërpërgjigje politike”, deklaronte në atë kohë Rama
Përplasjet Rama-Haradinaj
Edhe pse janë bërë më të shpeshta përgjatë muajve të fundit, përplasjet mes Haradinaj dhe Ramës nisën në fakt gati vit një më parë, kur kreu i qeverisë së Kosovës e paralajmëroi për herë të parë kryeministrin shqiptar të mos të ndërhynte në punët e brendshme të Prishtinës. Në prill të vitit të kaluar, kryeministri Edi Rama dhe Haradinaj patëm një përplasje publike, e cila nuk ka zgjatur më shumë se dy orë.
Ishte Rama ai që gjatë një interviste në Kosovë akuzoi Haradinajn për shpikje në lidhje me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, ndërsa e menjëhershme ka qenë përgjigjja e Kryeministrit Haradinaj i cili përmes rrjetit social shkruante “le të merret me shpikjet e veta brenda Shqipërisë se i dalin boll”. Debati në distancë mes dy kryeministrave, një ditë para 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, tërhoqi një vëmendjen të madhe mediatike, por në fund dy protagonistët janë shfaqur në një foto duke trokitur gotat me shampanjë dhe duke uruar qytetarët.
Duke iu referuar këtij debati, Haradinaj deklaronte në një intervistë se: “Unë kam respekt për kryeministrin e Shqipërisë, për Edin, edhe njihemi personalisht, kemi marrëdhëniE edhe familjare, ka ardhur dhe kemi shkuar, besoj që të gjitha këto janë besoj korreket. Por ekziston një dallim logjik pak a shumë mes asaj se si gjykohen temat në Shqipëri, si ato në Kosovë. Unë e kam shumë të vështirë të gjykoj të gjitha temat e brendshme në Shqipëri, se unë zakonisht jam i fokusuar këtu, nuk di ti gjykoj. Ka raste, mendoj, që nuk i ka të qarta ato qe kemi ne”.
Por marrëdhëniet mes dy kryeministrave duket se do të acaroheshin edhe më shumë me lindjen e debatit për korrigjimin e kufirit Kosovë-Serbi. Pavarësisht fotove miqësore në mbledhjet e dy qeverive, Rama dhe Haradinaj treguan disa herë se janë të ndarë në pikëpamjen mbi kufirin e Kosovës dhe kryeministri shqiptar nuk e ka mohuar se nëse arrihej marrëveshja, nuk do ta pengonte idenë e shkëmbim territoresh me Serbinë.
Ndërkohë në krahun tjetër, Haradinaj i kërkoi disa herë Ramës që të kujdeset për Shqipërinë pasi për Kosovën, siç tha vendosin politikanët e saj. Madje në një intervistë pak përpara mbledhjes së dy qeverive në Pejë, Haradinaj i kërkoi Ramës në një intervistë për “Klan Kosova” të mos përzihet më tepër se ç’i takon me punët e Kosovës.
“I lutem zotit Rama të rrijë në përgjegjësi të veta. Kur t’i kërkojmë ndihmë të na ndihmojë, por përgjegjësia e tij është Shqipëria në këtë rast. Mos t’i japë vetes më shumë ngarkesë se edhe ne jemi këtu”, deklaronte Haradinaj.
Ish-komandanti i UÇK-së shprehte hapur kritika ndaj kryeministrit, duke theksuar se nëse Brukseli dyshon se Rama favorizon ndarjen e Kosovës, atëherë rrezikohet vendosja e Shqipërisë në plan të mirë me BE-në, madje edhe çështja e negociatave të anëtarësimit. Haradinaj theksoi se ndasitë brenda faktorit politik shqiptar jo vetëm kanë konfuzuar Uashingtonin, por edhe kanë përçarë aleatët historikë të Kosovës, SHBA-në dhe BE-në, sa i përket zgjidhjes së problemeve të Kosovës.
Rama-Thaçi kundër Haradinajt?
Më katër shkurt, kryeministri Edi Rama vendosi të bënte bashkë udhëheqësit kryesorë të Kosovës në shtëpinë e re të zotit Thaçi, por që pas asaj mbrëmjeje marrëdhëniet mes dy kryeministrave duket se kanë marrë një kthesë edhe dramatike.
I pyetur nga Gazeta “Si” për mbrëmjen e 3 shkurtit, kur Rama, Haradinaj, Thaçi, Veseli dhe Limaj u mblodhën në shtëpinë e Presidentit por edhe pozicionin që po mban qeveria shqiptare ndaj shkëmbime territoriale, Këshilltari i zotit Haradinaj, Erolld Belegu thotë se kushdo mbështet ndarjen e Kosovës është armik i Prishtinës zyrtare.
Duke i referuar “ofertës” së kryeministrit Rama për të ruajtur rolin e ndërmjetësit mes Thaçit dhe Haradinajt, Belegu thotë: “Mendoj që çdokush që dëshiron të ndihmojë është i mirëseardhur, por idetë që shkojnë drejt ndarjes së Kosovës janë anti-kushtetuese dhe bien kundër interesave të Kosovës. Kryeministri Haradinaj ka qenë i qartë në deklaratat e tij që kushdo që dëshiron të rrënojë rendin kushtetues të shtetit të Kosovës është tradhtar dhe armik i vendit”.
Belegu thekson se çdokush që ofrohet për të forcuar Republikën e Kosovës në kufijtë e saj ekzistues, është i mirëseardhur të ndihmojë, por Prishtina zyrtare nuk do të pranojë ndihmën e askujt që favorizon ndarjes e Kosovës.
Në një intervistë të dhënë po atë muaj, kryeministri Haradinaj i ka kritikuar qëndrimin e mbajtur nga qeveria shqiptare dhe kryeministri Edi Rama, duke theksuar se “disa nga armiqtë e Kosovës flasin shqip”.
“Në Uashington po lobohet nga Kosova, Serbia por dhe Tirana zyrtare për t’i bindur zyrtarët amerikanë se korrigjimi i kufijve është formula e duhur. Po bëjnë shumë gabim”, tha Haradinaj duke nënvizuar se dhe media ka rënë në grackën e këtyre. “Kushdo që kërkon njohjen nga Serbia me shkëmbim territoresh ose me lëvizje kufijsh është armik i 17 Shkurtit të vitit 2008, i Kosovës së pavarur dhe Kushtetutës. Kushdo që ende më tutje e zvogëlon këtë Kosovë është armik. Çdo ngacmim i kësaj arritjeje, apo çelje është kthim prapa për shqiptarët”, deklaroi kryeministri.
Ai hodhi akuza të forta duke deklaruar se në Shqipëri janë paguar pará në favor të projektit të ndarjes së Kosovës. Sipas kryeministrit kosovar, burime i këtyre parave është Rusia, e cila ka arritur të “shtijë në dorë media dhe pushtetarë”.
“Në Shqipëri është lobuar edhe më parë për projektin e ndarjes. Gazetarë dhe analistë nga Kosova… kanë hyrë me shumë para në Shqipëri. Rusët kanë mbërritur në Shqipëri dhe kanë hedhur shuma të mëdha parash për të ndarë Kosovën duke lobuar në media, televizione dhe pushtetarë”, deklaroi Haradinaj, duke theksuar se kushdo në Shqipëri që del publikisht dhe thotë t’i japin Serbisë Veriun e Kosovës, sëbashku me minierën e Trepçës, është duke folur me paratë e rusëve.
“Nëse u themi shqiptarëve ‘shkëmbeni Veriun për 500 miliardë euro’, ndërkohë që Shqipëria buxhetin vjetor e ka 4 miliardë dhe Kosova 2 miliardë, shumë zyrtarë në Kosovë dhe në Shqipëri do të pranonin”, deklaroi Haradinaj.
Ai “fshikulloi” kryeministrin Rama dhe Presidentin Thaçi se kanë ndërmarrë një agjendë të gabuar. “Nuk ndërrohet territori dhe kufijtë. Unë nuk jam tregtar dhe nuk përfaqësoj ndonjë mall që mund të shkëmbehet apo tregtohet. Nuk ka kryeministër që ofron tokën e shtetit të vet për shkëmbim. Është absurditeti më i madh. Është banalitet i madh”, u shpreh Haradinaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.