Gazeta Si – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Policisë Kriminale, Tonin Vocaj.
Në vend të këtij të fundit, është emëruar Neritan Nallbati, drejtues i lartë dhe oficer policie në poste të rëndësishme në Policinë e Shtetit.
Një lëvizje e tillë e kryepolicit Nano, vjen pas një serie ngjarjesh kriminale në vend, si vrasja e trefishtë te mbikalimi i Fushë Krujës dhe atentati në Milot, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagos një tjetër.
Megjithatë, Vocaj është emëruar Zv/drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe Drejtor i Rendit dhe Sigurisë Publike.
Një post që më parë mbahej nga Albert Dervishaj, i cili do të kthehet të punojë në Akademinë e Policisë së Shtetit.
Vocaj ka mbajtur poste të larta në Policinë e Shtetit prej më shumë se një dekade, që në kohën e qeverisjes së ish-kryeministrit Berisha.
Ai ka mbajtur postin e Drejtorit të Departamentit të Policisë Kriminale, me gradën Drejtues i Lartë, që prej muajit janar 2019.
Emri i tij është përmendur jo pak herë në media në mënyrë kontroverse për shkak të detyrës së tij. Ai ishte pjesë e grupit “Çiftelia”, një kupole policësh që u fotografuan duke darkuar me Arben Frrokun, të akuzuar për vrasjen e komisarit të policisë Dritan Lamaj.
Vocaj u kthye në detyrë nga kryeministri Edi Rama në vitin 2019, në të njëjtin post që kishte mbajtur në kohën e Sali Berishës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.