Nga Gazeta ‘Si’- Bashkë me Jorida Tabakun, mjeku Ilir Alimehmeti rezultoi kandidati më i votuar i PD-së në Tiranë, por ai nuk hyri dot në parlament për shkak të numrit të ulët të votave përkoalicionin opozitar.
Me 13 mandate, ose 4 më pak se në zgjedhjet e kaluara, Ilir Alimehmeti e pranon se problem nuk është vetëm blerja e zgjedhjeve, por edhe vetë PD.
Në një intervistë për Gazetasi.al, Alimehmeti foli për ndryshim të forcës më të madhe të opozitës dhe për pastrim të partisë nga njerëzit joproduktivë që mban afër Kryetari Sali Berisha. A do të duhet të largohet edhe Berisha? A do të kandidojë Ilir Alimehmeti për Kryetar të PD? Mjeku që iu bashkua PD-së në kulmin e konfliktit fizik të demokratëve, pas 8 janarit 2022, nuk i shmang përgjigjet.
Gazeta Si: Çfarë duhet të bëjë Partia Demokratike tani që rezultati i zgjedhjeve është i qartë dhe humbja e thellë?
Ilir Alimehmeti: Patjetër duhet të bëjë analizën. Unë e kam kërkuar këtë analizë që në dhjetor 2023, pas zgjedhjeve lokale, në fjalën time në Kuvendin Kombëtar. Atëherë thashë se nuk po bëhej analiza e duhur, prandaj mendoj se tani duhet bërë një analizë korrekte për të parë vërtetë se ku çalojmë dhe jo për t’i mbushur mendjen njëri-tjetrit. Është e vërtetë që zgjedhjet nuk kishin standarde, qendron gjithçka kemi thënë deri tani për standardet e shkelura dhe pabarazinë në zgjedhje, që e ka theksuar edhe ODIHR-i, është e vërtetë që ka faj Edi Rama nga mëngjesi në darkë, por duhet thënë se kemi edhe ne problematikat tona. Pas një analize të hollësishme patjetër duhet të marrësh edhe veprime. Ne nuk mund të qendrojmë vetëm tek teoria. Analiza dhe veprimet duhen edhe sepse këtë e kërkojnë njerëzit. Ne jemi përfaqësues të tyre, jemi zëri i tyre. Zëri i tyre kërkon ndryshim. Që të bësh ndryshimin e madh, në radhë të parë, duhet të bësh ndryshimin e vogël.
Gazeta Si: Çfarë apo kush duhet të ndryshojë në PD?
Ilir Alimehmeti: Unë i mbahem një fjale që zoti Berisha tha pas lirimit nga arresti i padrejtë. Ai na tha se “ne do të pastrojmë shtëpinë tonë”. Kur nisi fushata kuptova që e kishte patur fjalën për shtëpinë e madhe, Shqipërinë, jo për partinë. Në gjykimin tim, pastrimi duhet të nisë nga brenda. Si rregull, pastrimi niset nga shtëpia, oborri dhe më pas del në rrugë. Edhe kur pastron pallatin me shumë kate, pastrimi nis nga shkalla më e sipërme për të zbritur poshtë, jo e kundërta. Pra, mendoj se nevojitet një ndryshim.
Gazeta Si: Pyetja kryesore në gjendjen që ndodhet PD është a duhet ndryshuar Kryetari, a duhet të nisë ndryshimi nga kaq lart?
Ilir Alimehmeti: Ne, si shqiptarë, kemi një problem të madh, sepsek ose shohim bardhë e zi, me po-jo, ose duam që gjërat të ndodhin menjëherë. Duhet të kuptojmë që ky është një proces dhe do të ketë një ecuri të caktuar. E rëndësishme është që në këtë proces të vendoset i pari interesi publik. Interesi publik do një opozitë të fortë. Doktor Berisha di të bëjë një opozitë të fortë. Por, ne na duhet edhe një opozitë produktive dhe kjo është pika ku çalojmë pak ne. Këtu nuk po flas për zotin Berisha. Ai e ka elektoratin e vet dhe shumë të fuqishëm pas vetes, por ky elektorat duhet shtuar. Si shtohet? Mendoj se kjo ndodh duke patur pranë vetes njerëz më produktivë.
Gazeta Si: Në zgjedhje u verifikua se PD-së dhe Partisë së Lirisë, në krahasim me 2021-shin, i mungojnë rreth 200 mijë vota. Keni ju një shpjegim për këtë?
Ilir Alimehmeti: Nuk di ta them këtë, mund të ketë arsye nga më të ndryshmet, por për të kuptuar se cila është më e rëndësishme dhe më pak e rëndësishme duhet të bëjmë një sondazh. Ajo që unë di të them është pse njerëzit më mbështesin mua. Sepse ata shohin tek unë një dritë në fund të tunelit. Vota nuk është thjesht llogaritje matematikore, është edhe emocion. Tre emocione janë ato që çojnë përpara ose mbrapa një komb, frika, poshtërimi dhe shpresa. Nëse mbizotëron frika dhe poshtërimi, shkohet mbrapa. Nëse mbizotëron shpresa, ecet përpara. Pra, nëse dikush sheh një shpresë apo një dritë në fund të tunelit, shpresa nis e mbizotëron ndaj frikës dhe poshtërimit. Oferta ime është: ejani tek ne, sepse unë s’ju kërkoj të jeni si dele, siç ju trajton tani pushteti. Unë do të jem zëri juaj dhe do të mundohem të bëj më të mirën.
Gazeta Si: Nisur nga rezultati juaj pozitiv personal, ka shumë zëra që ju kërkojnë të merrni përgjegjësi në PD, madje edhe ta drejtoni atë. Keni ndërmend të kandidoni?
Ilir Alimehmeti: Nuk mendoj se ka hapësirë në këtë diskutim. Une mendoj për etapa, sepse jeta ime ka ecur bazuar tek etapat. E kam nisur që 17 vjeç emigrant në Itali dhe i kam marrë të gjithë etapat njëra pas tjetrës. Aktualisht jam kryetar i këshilltarëve të PD në Këshillin Bashkiak Tiranë, drejtues i Departamentit të Shëndetësisë, anëtar i Këshillit Kombëtar, opozitar. Për mua ka shumë rëndësi çfarë duan njerëzit, jo çfarë dua unë. Nëse ka vullnet, dëshirë dhe mbështetje, atëherë kjo krijon një energji të atillë që çon përpara dikë. Pra, duhet mbështetje nga poshtë lart. Thënë këtë, unë nuk u bëj bisht sfidave, por i mbaj sytë gjithmonë nga njerëzit për të qenë pranë tyre në momentin e duhur për nevojat që ata kanë. Të njëjtën gjë do të bëj. Nëse ata mendojnë se do të qendroj deri këtu ku jam, aty do të qendroj. Nëse ata mendojnë më shumë apo më pak, do të ndjek vullnetin e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.