Shendet

Ndotja e mjedisit përgjysmon aftësitë e komunikimit te fëmijët

Sipas një studimi të fundit, fëmijët që jetojnë pranë rrugëve të ndotura, nuk kanë të zhvilluar aftësinë e komunikimit. Studiuesit janë shprehur se fëmijët që jetojnë deri 1.6 km larg nga autostradat apo rrugët ku kalojnë makinat, kanë dy herë më shumë gjasa për të pasur paaftësi në komunikim. Ata shprehen se të jetosh afër rrugëve dhe të jesh i ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit, rrit rrezikun për zhvillimin e fëmijëve, duke bërë të mundur që fëmijët në të ardhmen të jenë të rrezikuar nga një vonesë e aftësive si koordinimi i syve dhe ecja.
Ekipi nga Instituti Kombëtar i Shëndetit të Fëmijëve dhe Zhvillimit Njerëzor (NICHD) i Eunice Kennedy Shriver thotë se gjetjet treguan se edhe nënat duhet të jenë të kujdesshme kur janë shtatzënë, duke mos qëndruar në ajër të ndotur.
Sipas një studimi të vitit 2013 nga Universiteti i New Mexico, rreth 60 milionë amerikanë jetojnë pranë rrugëve duke thithur ajër të ndotur. Studimet e mëparshme gjithashtu kanë lidhur ekspozimin ndaj ndotjes gjatë shtatzënisë me rrezikun e lartë të lindjes së parakohshme, por pak kanë shikuar rrezikun e mundshëm të zhvillimit konjitiv.
Në studimin e ri të botuar në revistën Environmental Research, ekipi ka analizuar zhvillimin motorik dhe social të fëmijëve të lindur nga 2008-2010 në Nju Jork. Hulumtuesit vëzhguan adresën e shtëpisë, të punës së prindërve dhe veprimtarinë e fëmijëve të më shumë se 5000 pjesëmarrësve që jetonin në ambiente me nivele të larta të ndotjes. Fëmijët nga tetë muajsh deri në tre vjeç, u testuan dy deri në tre herë në vit mbi aftësitë e komunikimit dhe aftësitë e zgjidhjes së problemeve.
“Testet u krijuan në varësi të moshës së fëmijëve,” tha për Daily Mail, autorja kryesore e studimit Paulina Mendola.

Ekipi gjithashtu, vëzhgoi sa të ekspozuar janë fëmijët ndaj ndotjes, duke parë edhe ata që jetojnë në zona ku janë të vendosura termocentralet, sistemet e shkarkimit të ujërave, aeroplanët ose pranë zonave që ka pasur zjarre.
Grimcat e pluhurit janë tepër të vogla sa që mund të qëndrojnë në ajër dhe të kalojnë lehtësisht në trupin e njeriut, duke shkaktuar një sërë problemesh në mushkëri apo në qarkullimin e gjakut. Edhe studime të tjera, kanë treguar se ekspozimi ndaj grimcave të pluhurit mund të rrisë rreziqet e sëmundjeve të mushkërive dhe sëmundjeve të zemrës, si dhe të përkeqësojnë sëmundjet kronike, duke përfshirë astmën dhe bronkitin. Aktualisht, Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se shtatë milionë njerëz vdesin çdo vit në mbarë botën nga ndotja e ajrit.
Mendola thotë se gjetjet tregojnë se njerëzit gjithnjë e më shumë duhet të jenë të kujdesshëm, për të kufizuar ekspozimin ndaj ndotjes së ajrit.
“Kjo do të thotë të përpiqeni të ndaloni fëmijët tuaj të dalin në rrugët kryesore. Nëse keni fëmijët të vegjël dhe doni t’i mësoni që të ngasin biçikletën, atëherë duhet të gjeni vende të cilat janë më pak të ekspozuara ndaj ndotjes,” shtoi ajo.
“Gjithnjë e më shumë po mësojmë se si mjedisi ndikon në zhvillimin e njerëzve dhe duhet të pyesim vetën nëse mund të bëjmë diçka për të përmirësuar këtë fenomen. Një mjedis që është i shëndetshëm për fëmijët është i mirë për të gjithë,” shprehet Mendola.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë