Ngjarje

Ndotja e ajrit në rritje/ Jo vetëm pallate dhe kulla, Tirana shndërrohet në kantier ndërtimi në mes të gushtit

Në Tiranë nuk ndërtohen vetëm pallate dhe kulla, por dhe trotuare dhe po riparohen rrugë. Shembja e godinave dhe ndërtimi i trotuareve të reja duket se ecën paralel, sepse prej disa muajsh në rrugët kryesore të kryeqytetit dëgjon vetëm zhurma fadromash dhe mjetesh në kantieret e ndërtimit.

Nëse bën një vëzhgim të thjeshtë, duke ecur në këmbë nga Zogu i Zi në drejtim të rrugës “Muhamet Gjollesha”, sheh se si shtëllunga pluhuri përhapen në ajër pasi prej disa ditësh ka nisur shembja e godinës së ish-fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit.

Pranë ish-Teatrit Kombëtar

Teksa merr rrugën e Unazës së Vogël që merr për tek “21 Dhjetori”, pluhuri ka mbuluar çdo gjë, duke shkaktuar probleme tek zonat e banimit pranë këtyre kantiereve jo vetëm për zhurmat e fadromave por sidomos për rritjen e nivelit të ndotjes së ajrit.

Ajo çfarë konstaton me sy të lirë është fakti që nuk respektohen masat e sigurisë së ndërtimit ku një prej tyre është mbajtja pastër e pasazheve, rrugët me makinë nga rrëmuja.

Sipas rregullores, firmat e ndërtimit duhet të largojnë mbetjet si dhe duhet të rregullojnë dhe pastrojnë hapësirat ku kryhen këto ndërtime.

Punimet te "Myslym Shyri"

Më tutje, në rrugën e njohur të “Myslym Shyrit”, prej muajsh ka nisur prishja e trotuareve ekzistuese dhe ndërtimi i trotuareve të reja. Retë e pluhurit të punimeve bëhen bashkë me ato që lëshojnë mjetet të cilat vijojnë qarkullimin megjithë pirgjet e dherave dhe mjetet e punës që janë pozicionuar në krah të rrugës.

Punimet te "Myslym Shyri"

Kjo rrugë e njohur për shërbimet e shumta që ofron, që nga furrat e bukës apo bar-kafetë dhe gelateritë dhe deri tek boutiqet, është shndërruar në një rrugë me pirgje dherash, trotuare të prishura dhe re pluhuri duke e bërë atë një vend të pakalueshëm, e megjithatë duket se asgjë s’ka ndryshuar pasi jeta vazhdon njësoj, dyqanet vijojnë të hapura dhe qarkullimi i kalimtarëve dhe mjeteve po ashtu.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit, AKM ka vendosur 2 stacione monitorimi të ajrit që monitorojnë nivelet e grimcave të ngurta PM10, PM2.5, dhe dioksidi i karbonit CO2 dhe NO2.

Sipas të dhënave bërë publike në media, për periudhën Janar- Maj 2023, mësohet se janë tejkaluar normat për ndotjen e ajrit për dy tregues.

Sipas AKM, thuhet se në këtë periudhë është konstatuar tejkalim i normës së lejuar nga BE për PM10 dhe NO2.

Ekspertët e shëndetit publik thonë se lënda e grimcuar PM10 si edhe ajo pezull depozitohen në rrugët e frymëmarrjes dhe dëmtojnë mushkëritë deri në shkaktimin e kancerit.

Kurse substancat NO2 dhe SO2, përveç rrezikut mbi shëndetin e njerëzve, sjellin dëme mbi ndërtesat dhe monumentet e kulturës duke ulur gradualisht cilësinë dhe fortësinë e tyre.

Kurse substancat NO2 dhe SO2, përveç rrezikut mbi shëndetin e njerëzve, sjellin dëme mbi ndërtesat dhe monumentet e kulturës duke ulur gradualisht cilësinë dhe fortësinë e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë