Ngjarje

Ndotja akustike në zona të banuara, gjobë për personat dhe bizneset që hedhin fishekzjarre në mesnatë

Nga Gazeta Si- Ministria e Brendshme, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Shëndetësisë kanë firmosur kontratën për ndalimin e zhurmave në zonat e banuara.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se marrëveshja parashikon dakordësim për ndalimin e zhurmave nga lëndët piroteknike apo fishekzjarrët. Ai tha se personat dhe bizneset që hedhin fishekzjarrë në mesnatë për festa familjare do të gjobiten.

“Dakordësim për zhurmat në mjedise të përbashkëta mes tri ministrive. Problematikat janë të mëdha, lëndët piroteknike janë një njollë e zezë që kërkon zgjidhje sipas përgjegjësive. Zhurmat në mjedis janë shqetësim për rendin e sigurinë dhe cënojnë imazhin e Shqipërisë në turizëm. Kjo marrëveshje është bazuar në kuadrin rregullator dhe rregullave të OBSH dhe policia është përgjegjëse për ata që emetojnë zhurmë mbi nivelet e lejuara.

Duhet të përfundojë e të zbatohet rregulli nga policia për fishekzjarret në mesnatë. Policia e Shtetit dhe ajo bashkiake do bëjnë kontrolle intensive dhe do të ndëshkojnë me gjobë operatorët privat dhe qytetarët. Gjobë deri te mbyllja e aktivitetit për subjektet”, u shpreh Balla.

Më tej ai tha se policia duhet të ushtrojë kontrollet dhe të ndëshkojë bizneset apo personat të cilët e shkelin ligjin që ka hyrë në fuqi 3 vite më parë për ndalimin e përdorimit të fishekzjarrëve në data dhe orare të caktuara. Ministri u shpreh se lejohet që fishekzjarret të përdoren vetëm në datën 27 dhjetor deri në 1 janar. Ndërsa shitja dhe përdorimi i tyre lejohet nga data 15 dhjetor deri në 1 janar.

“Për të shmangur pasoja nga incidente të mundshme, i kam kërkuar policisë së shtetit për të kryer inspektime të përdorimit të artikujve të paligjshëm piroteknikë tek qytetarët. Ligji ka përcaktuar se përdorimi i tyre lejohet vetëm nga data 27 dhjetor deri në 1 janar. Në këto 3 vite asgjë nuk është bërë për zbatimin e këtij ligji. Shitja lejohet vetëm nga data 15 dhjetor deri në 1 janar”, shtoi ministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë