Nga Gazeta ‘Si’-Pagesa e asistencës sociale në Shqipëri mbulon vetëm 20% të popullsisë që jeton në varfëri, sipas raportit më të fundit të Bankës Botërore.
Në raporte të mëhershme Banka Botërore ka theksuar se në Shqipëri 33% e popullsisë është e varfër.
Krahasimi, i cili përfshin 25 shtete të Europës dhe Azisë Qendrore tregon se përveç Shqipërisë, edhe Maqedonia e Veriut, Bjellorusia dhe Taxhikistani kishin gjithashtu mbulim të dobët të shtresës së varfër me asistencë sociale.
“Krahasimi i mbulimit të të varfërve me ndihmë ekonomike është bërë për periudhën e parapandemisë, por inflacioni i lartë dhe indeksimet e ulëta të pensioneve mund ta kenë përkeqësuar më tej këtë tregues”, vëren Banka Botërore në raport.
Të gjashtë vendet shpenzojnë mesatarisht vetëm 0.3 për qind të PBB-së për të mbështetur direkt shtresat e varfra.
Kriteret për të përfituar ndihmë ekonomike në të gjithë Ballkanin Perëndimor lidhen kryesisht me masa kategorike, të tilla si prania e fëmijëve në familje, statusi i varësisë (njerëz me aftësi të kufizuara, jetimë, kujdestarë, pa punë), por jo për statusin aktual të mirëqenies (siç janë të ardhurat dhe pasuria).
“Rezultati i këtij targetimi kategorik ka prodhuar financime të ulëta për ndihmën sociale në të gjithë Ballkanin Perëndimor sesa në pjesën tjetër të vendeve në zhvillim të Europës dhe Azisë Qendrore, duke i lënë njerëzit e varfër të prekshëm ndaj goditjeve.
Ribalancimi i shpenzimeve sociale e orientuar nga niveli i varfërisë dhe shërbimet e lidhura me politikat e punësimit janë kritike për të reduktuar në mënyrë efektive varfërinë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës”, thekson raporti.
Në të, Maqedonia e Veriut përmendet si një shembull i mirë në rajon për shkak se i është nënshtruar një reforme gjithëpërfshirëse të sistemit të saj të mbrojtjes sociale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.