Ekonomi

BB: Shqipëria rritje të qëndrueshme ekonomike këtë vit, industria dhe bujqësia do të preken nga kostot e larta

Nga Gazeta ‘Si’-Gjatë vitit 2022, ekonomia e Shqipërisë vazhdoi të rimëkëmbet në ritme të mira pavarësisht inflacionit të lartë. Edhe për 2023-shin, rritja do të jetë e qëndrueshme.

Kështu thekson Banka Botërore në “Testimin e rezistencës”, një raport mbi zhvillimet e fundit ekonomike dhe perspektivën në Ballkanin Perëndimor ndikuar nga lufta në Ukrainë.

Raporti vëren se inflacioni do të ulet gradualisht gjatë këtij viti dhe do të kthehet në objektivin e Bankës së Shqipërisë në mesin e vitit të ardhshëm. Në përgjigje të rritjes së presioneve të brendshme inflacioniste, banka pritet që të shtrëngojë më tej politikën e saj monetare.

Eksportet dhe konsumi pritet që të rriten me ritme para-pandemike ndërsa shërbimet do të vazhdojnë të udhëheqin rritjen kryesore.

Nga ana tjetër, sipas raportit, industria dhe në një masë më të vogël, bujqësia, ka të ngjarë të vazhdojnë të preken nga rritja e kostove të prodhimit.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor janë treguar elastike”

Raporti vëren se pavarësisht çmimeve të larta të energjisë dhe ushqimeve, kushteve të  pafavorshme të motit, shtrëngimit të kushteve financiare dhe pasigurisë, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë treguar elasticitet.

“Ballkani Perëndimor ka treguar një elasticitet të jashtëzakonshëm pavarësisht nga erërat e mëdha ekonomike ”, tha Xiaoqing Yu, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

Ballkani Perëndimor ka treguar një elasticitet të jashtëzakonshëm, shprehet Xiaoqing Yu

"Për të vazhduar përballimin e stuhisë së paraqitur nga goditjet e shumta ekonomike, vendet mund të arrijnë të ardhura të larta duke ndjekur reforma që nxisin produktivitetin në afat të mesëm, të tilla si përshpejtimi i integrimit rajonal, rritja e niveleve të konkurrencës në treg, tërheqja e investimeve me cilësi më të lartë dhe adresimi i barrierave që kufizojnë pjesëmarrja në fuqinë punëtore, veçanërisht në mesin e grave”, shtoi ajo.

Raporti vëren se inflacioni u rrit në nivelin më të lartë të dy dekadave në vitin 2022 në pothuajse të gjitha ekonomitë, por tani tregon shenja lehtësimi. Megjithatë, presionet mbi çmimet mbeten të larta në fillim të vitit 2023.

"Çmimet më të larta të ushqimit dhe energjisë kanë prekur më rëndë familjet me të ardhura të ulëta, duke rezultuar në një ritëm më të ngadaltë të uljes së varfërisë në vitin 2022, pavarësisht mbështetjes së qeverisë. Për shkak të rritjes më të ulët ekonomike dhe inflacionit më të lartë, varfëria vlerësohet të jetë ulur me vetëm 1 për qind në vitin 2022”, thekson ai për vendet e Ballkanit.

“Familjet më të varfra shpenzojnë një përqindje shumë më të lartë të të ardhurave të tyre për energji dhe ushqime, dy artikujt në shportën e konsumit me rritjen më të lartë të çmimeve ,”tha Sanja Madzarevic-Sujster, Ekonomiste e Lartë e Bankës Botërore dhe një autore kryesore e raportit.

“Kjo do të thotë se rritjet në koston aktuale të jetesës me të cilat përballen njerëzit e varfër në Ballkanin Perëndimor janë shumë më të larta sesa sugjerojnë shifrat zyrtare të inflacionit të çmimeve të konsumit. 

Për të hartuar politika efektive për të mbrojtur njerëzit më pak të pasur dhe për të nxitur rritjen ekonomike, është e rëndësishme të merret parasysh ndryshueshmëria e normave të inflacionit midis llojeve të ndryshme të familjeve”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë