Ka ndodhur

Ndeshja Shqipëri-Poloni, rrugët që do të bllokohen të martën në Tiranë

Në prag të ndeshjes Shqipëri-Poloni në stadiumin “Air Albania”, policia ka publikuar një plan masash për të garantuar mbarëvajtjen e ndeshjes.

Kështu rrugët pranë stadiumit do të qëndrojnë të bllokuara nga ora 16:00 deri në përfundim të ndeshjes.

Masat e marra nga Policia e Tiranës konsistojnë jo vetëm në  ambientet e stadiumit, por dhe në një perimetër më të gjerë jashtë tij. 

Rruga përreth  stadiumit, “Lek Dukagjini”, rruga “Faik Konica” rruga “Dervish Hima”, rruga “ Gjergj Filipi”, rruga Asim Zeneli” rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza” do të jenë të bllokuara.

Hyrja e tifozëve do të fillojë në orën 18:00, dhe lëvizja e tyre do të garantohet nga policia, përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojnë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar.

Në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundërligjshme (si armë, sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj.) dhe çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.

Nuk do të lejohen të futen në stadium persona pa dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindërit apo kujdestarit.

Policia bën me dije se në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike, do të ndërhyjë si në ambientet e jashtme të stadiumit, ashtu dhe në ambientet e brendshme, për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e personave që do shkaktojnë trazira apo kryejnë veprime antisportive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë