Nga Gazeta ‘SI’ – Shoqata e Ndërtuesve ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e qeverisë për rritjen e çmimeve referencë në kryeqytet.
Ndërtuesit kërkojnë shfuqizimin e ankesit 1 në vendim ku përcaktohen çmimet e ndryshuara të referencave të shitblerjes së apartamenteve dhe shkronjës nje pike të aneksit 2 të vendimit që përcakton veprime prapavepruese për “çmimin për metër katror sipërfaqe ndërtimore për ndërtimet e reja regjistruar sipas lejes së përdorimit në ASHK, pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, do të indeksohet me koeficientin 0.2 (zero pikë dy) herë më i lartë se çmimi i sipërfaqes së apartamentit të banimit”.
Vendimi i qeverisë që u miratua verën e shkuar ka rritur ndjeshëm kostot e ndërtimit për zhvilluesit, që përkthehet në një taksë infrastrukture më të lartë për ato dhe në çmime më të larta për tregun.
Për Tiranën ajo është në nivelin 8% dhe llogaritet për metër katror mbi çmimet e referencës të cilat nga gushti i vitit të kaluar u rritën nga 5 deri 76% për 32 zonat kadastrale të Tiranës.
Nga rritja e kostos së taksave çmimet e apartamenteve në Tiranë sipas Shoqatës së Ndërtuesve janë rritur 200 deri 300 euro për metër katror.
Shoqata e Ndërtuesve edhe në letrën dërguar në muajin shtator kryeministrit Edi Rama paralajmëroi se me hyrjen në fuqi të vendimit për rritjen e çmimeve fiskale do të shtohet barra fiskale si te individët dhe ndërtuesit.
Përveçse efekteve të rritjes së taksës së pasurisë vendimi për rritjen e çmimeve të referencës, sipas shoqatës së Ndërtuesve do të rrisë edhe detyrimin e tatimit mbi të ardhurat për rastet e transaksioneve të shitblerjes, edhe te ata individë që kanë kryer rivlerësimin e shtëpive.
Shoqata e Ndërtuesve propozoi që hyrja në fuqi e vendimit me çmimet e rritura fiskale të jetë graduale ose aplikimi kundrejt zhvilluesve të lidhet vetëm me projekte që nisen dhe përfundojnë pas hyrjes në fuqi te vendimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.