Ngjarje

Ndërtimi i mbikalimit të Shkozës, devijohet trafiku në Unazën Lindore

Në kuadër të zbatimit të projektit në Unazën Lindore Loti 3, në datat 6 deri më 12 mars do të kryhen punimet e fundit për ndërtimin e mbikalimit të Shkozës, ku do të bëhet montimi i trarëve të këtij mbikalimi.

Përmes një njoftimi për shtyp, Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi se për kryerjen e këtyre punimeve do të bëhet devijimi i trafikut sipas Planit të Menaxhimit të Trafikut.

Konkretisht, trafiku që vjen nga rrethrrotullimi i Shkozës në drejtim të Farkës do të devijohet në drejtim të rrugës “Ali Shefqeti”; trafiku që vjen nga Farka në drejtim të Tiranës (nëpërmjet Unazës) do të devijohet në rrugën e vjetër të Farkës.

Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri të ditur se ka marrë të gjitha masat për kufizimin e kantierit ku do të kryhen punimet, si dhe vendosjen e sinjalistikës provizore për të orientuar përdoruesit e rrugës.

“Kërkojmë mirëkuptimin e banorëve dhe përdoruesve të rrugës për këto ndërhyrje që po kryhen në këtë aks deri në përfundimin e plotë të këtij projekti”, thuhet në njoftimin për shtyp.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë