Rend dhe Ligj

‘Ndërtimi dhe bixhozi, sektorët kryesorë të pastrimit të parave në Shqipëri’

Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmon shqetësimet e ngritura edhe në raporte të ndryshme vendase dhe të huaja se sektori i ndërtimit, pasuritë e patundshme dhe projekte të mëdha biznesesh janë fushat e metodat më të parapëlqyera nga krimi i organizuar për pastrimin e parave.

Konfirmimi bëhet përmes raportit vjetor të DASh për trafikun e lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave. Raporti thekson se informaliteti i lartë në ekonomi, kontrollet e dobta kufitare dhe doganore lehtësojnë trafikimin e mallrave dhe të mirave materiale, përfshirë këtu edhe paratë e pista që sigurohen nga krimi i organizuar në vendet e Bashkimit Europian. Gjykatat, sipas raporti, nuk ndihmojnë në këtë drejtim, duke toleruar akuzat për pastrim parash.

Raporti thekson se fitimet më të mëdha të krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi sigurohen nga trafiku i drogës, trafiku i qenieve njerëzore, shmangia e taksave, kontrabanda dhe korrupsioni.

“Pozicioni në Europë dhe lidhje me rrjetet e krimit të organizuar në Europën Perëndimore dhe Amerikan Jugore rrit vulnerabilitetin e Shqipërisë”, thotë raporti.

Mes gjetjeve të amerikanëve shqetësim shprehet edhe se paratë e drogës mund të pastrohen te lojërat e fatit dhe bixhozi, megjithëse këto të fundit janë ndaluar me ligj që prej 2019-s.

“Në një kohë që pjesa më e madhe e industrisë së bixhozit është ndaluar me ligj që në 2019-n, legjislacioni lejon bixhozin te resortet me pesë yje. Këto monitorohen nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Bastet online, megjithëse të jashtëligjshme, vazhdojnë ende përmes platformave të ngritura jashtë Shqipërisë”, thotë raporti i DASh.

Raporti vëren se Shqipëria nuk ka nevojë për ndryshime në kuadrin ligjor dhe përshëndet ligjet e kaluara vitin e kaluar si pjesë e rekomandimeve të agjencive ndërkombëtare kundër pastrimit të parave të pista. Por, DASh thotë se problematik është zbatimi i legjislacionit.

“Shqipëria duhet të zbatojë me efektivitet legjislacionin ekzistues, të ushtrojë me efektivitet mbikëqyrjen e tregjeve, përmirësojë organet mbikëqyrëse dhe kapacitetet e tyre dhe luftojë korrupsionin në radhët e policisë dhe prokurorisë”, thuhet në raport.

DASh shprehet se zbatimi i ndryshimeve thelbësore të 2016-s dhe 2017-s të Kodit Penal për këtë pjesë mbetet ende një sfidë, po ashtu siç është sfidë edhe numri i ulët i dosjeve që hetohen e çohen për gjykim nga ana e prokurorisë.

“Pavarësisht numrit të lartë të hetimeve që lidhen me pastrimin e parave, numri i gjykimeve dhe dënimeve për këto akuza mbetet i ulët. Në 9 muajt e parë të 2021, 32 individë u dënuan për pastrim parash, ndërsa Policia e Shtetit referoi 318 raste po në këtë periudhë”, thekson raporti.

Raporti vlerëson rritjen e numrit të personave të hetuar dhe gjykuar për korrupsion, që gjatë 9 muajve të parë të 2021 ishte 1135 veta, një rritje me 37 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të 2020-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë