Ka ndodhur

Ndalohet lundrimi i mjeteve të vogla dhe peshkimi në Vlorë, mjegull e dendur në Llogara

Gazeta Si - Lundrimi i mjeteve të vogla dhe anijeve të peshkimit është ndaluar në gjirin e Vlorës, për shkak të motit të keq.

Ndalimi vlen për datat 26-27 shtator, ndërsa anijet e transportit ndërkombëtar detar vazhdojnë të operojnë normalisht.

 “Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar në gjirin e Vlorës dhe jashtë saj për datën 26-27 shtator 2022 nga ora 01:00 deri në orën 24:00 në drejtimin Jug-JugPerëndim dhe Jug-Lindje në forcën 5-6bft, 1.20-1.80m brenda gjirit të Vlorës dhe jashtë gjirit të Vlorës në forcën 6-7bft deri 8bft 15-20m/s dhe lartësi dallge nga 1.80 deri 3.50 metra”, - thuhet në një njoftim.

Përmirësimi i situatës meteorologjike në gjirin e Vlorës dhe jashtë saj për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit, parashikohet pas datës 27 shtator 2022 ora 08:00.

Ndërkohë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në rrugën e LLogarasë për shkak të mjegullës së dendur që ka rënë.

"Në Llogara ka rënë mjegull e dendur mëngjesin e sotëm dhe kalimi në të bëhet me vështirësi. Drejtuesit e mjeteve që kalojnë në këtë rrugë të bëjnë kujdes, të reduktojnë shpejtësinë dhe të respektojnë sinjalistikën," njoftoi ARRSH. Ndërkohë ARRSH thotë se ka probleme me rrëshqitjen e dheut dhe gurëve dhe se në terren ndodhen ekipet e saj që po pastrojnë mbetjet në rrugë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë