Protestës së bizneseve të Lungomares në Vlorë kundër ndalimits të muzikës në orën 22:00, iu janë bashkuar edhe lokalet e zonës turistike të Shëngjinit në Lezhë.
Mesditën e sotme, dhjetëra pronarë lokalesh kanë dalë në protestë, duke kundërshtuar orën policore të vendosur nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.
Ata kërkojnë zgjatje të orarit të muzikës, pasi sipas tyre kjo situatë po i penalizon rëndë për të dytin vit radhazi. “Kërkojmë që të shtyhet orari të paktën deri në orën 01:00 për mbajtjen hapur të muzikës. Ky kufizim na ka dëmtuar edhe moralisht dhe ekonomikisht, dasmat e darkës nuk bëhen, na fusin në ngatërresë dhe me klientët”, – tha një pronar.
Bizneset akuzojnë shtetin për papërgjegjshmëri, duke shkaktuar sipas tyre një situatë të pazakontë. “Papërgjegjshmëria e këtij shteti po na ballafaqon me njerëzit që kanë prerë biletat. Ata janë nisur nga jashtë dhe vijnë këtu e na gjejnë të papërgatitur, – vijon pronarja e një lokali në Shëngjin. – Është i vetmi muaj që punojmë, pasi penalizohen shumë zinxhirë, të mos mendojmë se jemi e vetmja palë e dëmtuar: janë dyqanet e mishit, ushqimoret, bulmetoret”.
Ashtu si në Vlorë, edhe pronarët e lokaleve në Lezhë, kërcënojnë se do të mbyllin aktivitetin e tyre. “Nuk merremi kush punon e kush punon, qeveria të tregohet e përgjegjshme ndaj nesh”, – ankohen ata.
Më herët në Vlorë, rreth 90 biznese kanë mbyllur dyert këtë të hënë për 24 orët e ardhshme si protestë për plotësimin e kushteve të tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.