Legjenda e boksit shqiptar dhe komentatori i njohur sportiv, Ahmet Golemi është shuar sot, në moshën 85-vjeçare. Lajmin e ka bërë të ditur djali i tij, nëpërmjet një postimi në Facebook, ku shkruan se boksieri i njohur mbylli sytë përgjithmonë mëngjesin e sotëm. “Miq dhe dashamrës! Me hidhërim të thellë njoftoj ndarjen se sot u nda nga jeta babi im, Ahmet Golemi”, shkruan i biri.
Ahmet Golemi ish-gazetar sportiv dhe ish-boksier, gjatë regjimit komunist, u dënua me 5 vite burgim për agjitacion e propagandë, pasi siç ka rrëfyer vetë, festoi një nga fitoret e Muhamed Ali.
Golemi mban 9 tituj në karrierën e tij, pesë herë kampion i vendit dhe katër herë nënkampion. “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Mjeshtër i Madh”; ai është një nga 5 më të mëdhenjtë e boksit shqiptar.
Të hidhur dhe të rëndë e ka konsideruar Presidenti Ilir Met alajmin për ndarjen nga jeta të boksierit të njohur Ahmet Golemi. Me një postim në Facebook, Meta e konsideron atë “Muhamed Ali” shqiptar, ndërsa thotë se Golemi do të mbetet një “universitet” për brezat e sportistëve të rinj shqiptarë.
“I hidhur dhe i rëndë lajmi për ndarjen nga jeta të intelektualit të ringut, “Kasus Klejit shqiptar”, Ahmet Golemi.
Pioner i boksit tonë profesionist, pesë herë kampion dhe katër herë nënkampion, ai sfidoi në “duel” edhe vetë regjimin në emër të mbrojtjes së pasionit të tij, për t’u ringritur sërish më i fortë si shkrimtar i talentuar, gazetar dhe komentator i papërsëritshëm dhe shumë i dashur sportiv.
Mjeshtri i Madh Ahmet Golemi do të mbetet një “universitet” për brezat e sportistëve të rinj shqiptarë, intelektual i rrallë dhe qytetar aktiv, roli i të cilit në çdo pozitë që luajti dhe mbajti, vështirë të zëvendësohet.
Duke ndarë dhembjen e madhe dhe ngushëllimet më të ndjera me familjen e Tij, miqtë e kolegët, gjendem sot pranë tyre në këto momente të vështira.
Pusho në paqe Mjeshtër! Përherë i paharruar kujtimi yt”, shkrua Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.