Lojëra me Dore

NBA pezullon sezonin, francezi Rudi Gobert me Koronavirus

Ndeshja Oklahoma City-Utah është shtyrë për shkak të Koronavirusit, Rudi Gobert i skuadrës mike ka rezultuar pozitiv me virusin COVID-19. Menjëherë më pas ka ardhur njoftimi zyrtar nga drejtuesit e NBA-së për pezullimin e sezonit 2019-20. Një moment i trishtuar dhe historik 11 marsi i 2020-ës, që do të kujtohet për shumë kohë, për arsye të gabuara.

Komunikata zyrtare është e shkurtër. “NBA pezullon sezonin pas ndeshjeve të fundit. Bëjmë me dije se një lojtar i Utah Jazz ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Përgjigjet e testit janë zbuluar pak para ndeshjes Oklahoma City-Utah Jazz. Ndeshja është shtyrë, ndërsa lojtari nuk ka qenë në sallë. Gjatë pauzës do të mendohet për hapat që do të ndiqen në raport me pandeminë e Koronavirusit”.

Rudi Gobert, basketbollisti i prekur nga Koronavirusi. Gazeta Si, 12 mars 2020

NBA-ja ishte gati të merrte vendimin për të luajtur me dyer të mbyllura për të mos përhapur virusin, por lajmi zyrtar i prekjes së Gobert nga Koronavirusi ka sjellë pezullimin e menjëhershëm të sezonit. Sigurisht, basketbollisti francez i Utah Jazz nuk e ka ditur që ka qenë i infektuar. Për momentin, nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë në vazhdim me NBA-në, por i sigurt është pezullimi të paktën dyjavor i kampionatit, kohë e nevojshme për të futur në karantinë skuadrat që kanë luajtur kundër Utah.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë