Lojëra me Dore

NBA llogarit të kthehet në korrik, vendimi zyrtar brenda një muaji

Brenda një muaji do të vendoset për kthimin në parket ose jo. Për herë të parë pas 11 marsit, kur koronavirusi ndali gjithçka, NBA ka një pikë orientimi për të ditur kur mund të rifillojë sezoni 2019-20. Të gjitha indiciet të çojnë te vazhdimi i garës, jo vetëm është e nevojshme ekonomikisht, sepse e duan të gjitha palët, pronarët e ekipeve dhe lojtarët.

Komisioneri Adam Silver ka bërë të ditur afatet për klubet, por kuptohet që është virusi ai që fikson datat e rifillimit. Silver u ka shpjeguar pronarëve se vazhdimi i kampionatit është e vetmja mundësi për të pasur të ardhura që shkojnë deri në 1.5 miliardë dollarë për sezonin 2019-20. Ai ka përmendur 400 milionët e humbur në tetor dhe 1 miliard dollarë të humbur nga pandemia, humbje që mund të vazhdojnë edhe për sezonin 2020-21, që mund të fillojë në dhjetor, pasi ende nuk dihet kur mund të lejohet publiku për të ndjekur ndeshjet nga afër.

Adam Silver, komisioner i NBA-së. Gazeta Si, 13 maj 2020

Shumë i rëndësishëm për përcaktimin e një afati kohor ka qenë qëndrimi i lojtarëve, të cilët kanë pranuar reduktimin 25% të pagës. “Më duket se lojtarët nuk po e kuptojnë sa e rëndë është për ta që kampionati të mos vazhdojë, - shkruan në Tuiter Jared Dudley i Lejkërs. – Nuk jemi në një situatë të mirë dhe nëse nuk luajmë, nuk kemi të ardhura nga televizionet dhe kështu kontratat tona ulen”. Chris Paul, president i Sindikatës së Lojtarëve, ka folur në një “conference call” me LeBron James, Anthony Davis, Kevin Durant, Giannis Antetokounmpo, Kawhi Leonard, Steph Curry, Damian Lillard e Russell Westbrook, duke krijuar një front për të shtyrë rifillimin e aktivitetit.

NBA ka marrë kohë 2 deri në 4 javë për të kuptuar si do të vazhdojë gara. Nuk është vendosur ende formati, por më i mundshëm është varianti që të gjithë lojtarët në një zonë të caktuar, me Las Vegas e Disney World kandidate kryesore. Nga pjesa e mbetur e 2019-20-ës, 259 ndeshje dhe play-off-i, synohet të luhen sa më shumë ndeshje nga sezoni i rregullt dhe pastaj play-off-i tradicional, që të rikuperohen sa më shumë të ardhura.

Protokolli i rifillimit parashikon që t’u jepet kohë lojtarëve të stërviten. Për momentin, vetëm 7 skuadra kanë hapur dyert e qendrave të tyre stërvitore, shumë të tjera bëjnë llogari ta bëjnë këtë gjë brenda javës. Chris Paul, si president i Sindikatës, ka thënë gjithmonë se përgatitjet duhet të jenë patjetër tri javë, kështu që NBA mund të nisë në fillim të korrikut në rastin më të mirë. Gjithsesi, për herë të parë pas pezullimit të sezonit, ka disa data dhe dritë në fund të tunelit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë