Lojëra me Dore

NBA/ Lejkërsat fitojnë ndeshjen e katërt dhe prekin titullin

Los Anxheles Lejkërs kanë treguar edhe një herë se janë të pakapshëm, teksa e kanë fituar edhe ndeshjen e katërt ndaj Majemi Hits 102-96, duke udhëhequr 3-1 finalet e NBA-së dhe tashmë janë vetëm një hap larg titullit kampion.

Dyshja e zakonshme Xhejms-Devis ka udhëhequr formacionin e trajnerit Vogel për ta çuar rezultatin e ndeshjeve në 3-1. Për Hitsat nuk mjaftuan katër lojtarët që kapën shifra të dyfishta në këtë ndeshje dhe as rikthimi i Bam Adebajo. Los Anxheles e fitoi ndeshjen në periodën e fundit, falë mbrojtjes së saj dhe talentit më të madh që ka në skuadër.

Moment nga ndeshja. Devis në aksion. Gazeta Si, 7 tetor 2020

Majemi provoi deri në fund dhe mund të ketë ndonjë peng, por tani nuk mund të kthejë asgjë pas. Ndoshta Hitsat shkuan përtej limiteve, por kur ke përballë një skuadër si Lejkërsat, nuk ke çfarë të bësh. Të dyja skuadrat e dinin rëndësinë e ndeshjes, që ishte vendimtare për titullin.

Adebajo nuk ishte në formën e tij më të mirë fizike, por në fushë dha gjithçka kishte, me 15 pikë dhe 7 ribaunde në 33 minuta. Ai arriti ta mbante rendimentin sipër mesatares. Majemi mbeti në lojë deri në fund. Lejkërsat e mbyllën periodën e tretë 5 pikë para (75-70), Majemi barazoi 6 minuta para fundit (83-83), por u tradhtua nga precizioni në gjuajtjet për 3 pikë.

Në fundin e ndeshjes, Devis dhe Xhejms mbyllën llogaritë, duke u dhuruar Lejkarsëve fitoren e 3-të në 4 ndeshje. Tani mjafton edhe një fitore për të zyrtarizuar titullin në NBA. LeBron Xhejms e mbylli ndeshjen me 28 pikë, 12 ribaunde dhe 8 asiste, kurse Antoni Devis realizoi 22 pikë. Shumë të rëndësishme për Lejkërsat ishin edhe 15 pikët e Kentavious Kalduell-Pop.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë