Lojëra me Dore

NBA do të punojë për rihapjen e ekonomisë amerikane

"Ishim eventi i parë sportiv që u pezullua për shkak të koronavirusit dhe duam të jemi ndër të parët që rifillojmë, për të ndihmuar ekonominë Amerikane ". Adam Silver, presidenti i NBA, e ka përsëritur disa herë këtë ide gjatë muajit të fundit. Tashmë ai do të ketë mundësinë për të dhënë kontributin e tij: presidenti e ka përfshirë në grupin e dytë task-forcë brenda Shtëpisë së Bardhë.

Trump mbështetet shumë te sporti në fazën 2, që ekonomia e vendit të nisë procesin e tranzicionit drejt normalitetit. "Duhet të rikthejmë sportin, nuk më pëlqen të shoh ndeshje të vjetra", tha ai duke njoftuar krijimin e një task-force prej 200 personash, ku qëllimi i grupit të punës do të jetë identifikimi i mënyrave për të futur sa më shumë sektorë të ekonomisë në shina duke filluar nga data 30 prill, dita kur skadon afati i udhëzimeve aktuale për distancim shoqëror të vendosura nga qeveria federale.

Adam Silver

Takimi i parë, virtual, me anëtarët sportivë të komisionit të ri pritet të zhvillohet këtë javë. Presidenti e kishte shprehur edhe më përpara rëndësinë që ka sporti në platformën e tij të rihapjes, duke shpresuar se NFL mund të nisë siç është parashikuar në shtator, ndoshta me tifozë. "Të gjithëve na mungon sporti dhe rikthimi i tij do të ishte një mesazh i rëndësishëm për të gjithë vendin," tha Silver. Presidenti Trump na kujtoi se sa i rëndësishëm është sporti, ne i siguruam që pasi të marrim aprovimin nga autoritetet shëndetësore, ne do të jemi të gatshëm të rifillojmë dhe të bëjmë punën tonë. ".

NBA po mendon të zhvillojë një turne në stilin e Kupës së Botës, në mënyrë që të luhen të gjitha ndeshjet e mbetura dhe të përfundojë sezoni 2019-2020. Hipoteza më e mundshme është për të luajtur (duke filluar nga 21% e ndeshjeve të sezonit të rregullt ende të pa zhvilluara apo direkt nga playoff) në një ambient të vetëm që mund të presë ndeshjet, seancat stërvitore e stafin e skuadrave, ku do ti nënshtrohen kontrolleve rigoroze. Ky vend mund të jetë Las Vegas, që ndodhet në shkretëtirë, e ku hyrjet janë lehtësisht të kontrollueshme, por edhe lehtësira të shumta, si impiante për ndeshjet e sidomos hotele të mëdha tashmë të boshatisur për shkak të ‘karantinës’. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë