Lojëra me Dore

NBA dhe Covid-19: Pse “flluska” kundër virusit funksionoi

NBA ishte Liga e parë sportive në Amerikë që u ndal prej koronavirusit, por edhe e fundit që rinisi, duke u rikthyer në fushë pas 4 muajsh e gjysmë pushim. Kohë e mjaftueshme për të organizuar në brendësi të “Disney World” në Orlando një kampus të izoluar nga bota, duke i lejuar lojtarët të përfundojnë sezonin në mënyrë të sigurt . Rezultati më i rëndësishëm, përveç titullit NBA të fituar nga Lakers, është se në 100 ditët e izolimit nuk pati asnjë rast pozitiv me koronavirus.

Masat e marra:

1- Çelësi kryesor për të kuptuar se si funksionuan gjërat në Orlando është investimi 180 milionë dollarësh që NBA bëri për të organizuar këtë kampus, duke garantuar sigurinë maksimale te sportistët.

2-NBA vendosi të reduktojë numrin e skuadrave nga 30 në 22, duke grumbulluar vetëm ato që kishin shanse për t’u kualifikuar në fazën play-off, duke u luajtur vetëm 8 ndeshje të sezonit të rregullt. Çdo ekip ishte i përbërë nga 35 persona:770 në total.

3-Mes mjeteve të shumta të kontrollit të përdorura gjatë kampusit, ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen ishte unaza që mbanin lojtarët. Kur ajo vihej në gisht gjatë aktivitetit fizik (stërvitje e ndeshje) monitoronte në kohë reale parametrat fizik, në rast se vërehej ndonjë anomali për shkak të Covid-19.

4-Një tjetër objekt i veçantë  ishte ora në formë miushi e personalizuar, e cila vendosej në pulsin e dorës të çdo lojtari. Objekti ishte një çelës që hapte dyert. Një mënyrë që lojtarët të mos kishin kontakte me objekte që kalonin dorë më dorë.

5-Të gjithë basketbollistët kishin dhomën e tyre personale, kjo vlen edhe për stafet përkatëse. Lojtarët kishin disa alternativa brenda kampusit për të kaluar 100 ditët e izolimit.

6-Ushqimi i shërbyer në sasi të vogla gjatë periudhës së karantinës, ndezi diskutime në ditët e para të grumbullimit.. Një problem që u zgjidh shumë shpejt nga NBA përmes një “vetëshërbimi”, duke vendosur kuzhinierë që gatuanin për sportistët.

7-NBA i kishte menduar të gjitha, dhe detajet që në pamje të parë, duken si të parëndësishme. Të pranishëm në grumbullim ishin 6 parukierë, të përzgjedhur nga NBA, që testoheshin rregullisht dhe qëndronin të izoluar në Orlando.

8-Jo të gjithë, megjithatë, ndoqën rregullat në mënyrë të përsosur, siç ishte rasti i Lou Williams (Clippers), i cili doli nga flluska për "arsye personale", dhe u zbulua në një klub duke u argëtuar. Qëndroi 10 ditë izolim shtesë dhe u pezullua me 2 ndeshje. Në disa raste lojtarëve iu dhanë leje për "arsye familjare", por me kusht që të monitoronin shëndetin e tyre dhe t’u nënshtroheshin testit anti-Covid çdo 48 orë. Pas protokollit, sapo ata u kthyen në Disney World, karantina ishte 5 ditë.

9-Ndeshjet u luajtën pa tifozë. Të pranishëm në stadium vetëm skuadrat, gjyqtarët, disa gazetarë (edhe ata të izoluar në Orlando) dhe pak persona të autorizuar. Publiku ishte i pranishëm përmes internetit, në lidhje virtuale nga shtepia.

10-NBA bënte publike çdo ditë rezultatet e testeve anti-Covid. Javët e para pati disa raste sporadike dhe personat kaluan në izolim. Më pas nuk pati asnjë rast pozitiv dhe ky nuk përbënte më një lajm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë