Analize

NATO për herë të parë i frikësohet Kinës!

Udhëheqësit e vendeve anëtarë të NATO-s e përfunduan samitin e 70-vjetorit të përçarë dhe me kokën mënjanë për një sërë çështjesh të rëndësishme. Megjithatë të gjithë duket se u pajtuan për një çështje të rëndësishme: sigurinë kibernetike.

Në deklaratën e tyre të përbashkët anëtarët e NATO-s thanë se Rusia mbetet një "kërcënim për sigurinë euro-atlantike". Por për herë të parë në historinë e Aleancës Veri-Atlantike, udhëheqësit e NATO-s e zgjeruan vështrimin e tyre edhe më tej në lindje drejt Pekinit, duke ngritur alarmin se Kina paraqet një kërcënim të jashtëzakonshëm për aleancën.

"Ne e pranojmë që ndikimi në rritje i Kinës dhe politikat ndërkombëtare paraqesin një sfidë që duhet ta adresojmë së bashku si aleancë," thanë udhëheqësit e NATO-s në deklaratën e përbashkët.

Por çfarë rreziku paraqet Kina për vendet anëtare të NATO-s?

"Kina, duke pasur ushtrinë e dytë më të madhe në të gjithë botën, ka shfaqur gjithnjë e më shumë aftësi të reja moderne, duke përfshirë ndërtimin e raketave me rreze të gjata të afta për të goditur të gjithë Europën dhe SHBA-në", tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ai deklaroi se liderët e NATO-s janë të alarmuar për faktin se Pekini po investonte shumë në infrastrukturën europiane dhe hapësirën kibernetike.

"Kjo nuk ka të bëjë me zhvendosjen e NATO-s në Detin e Kinës Jugore, por ka të bëjë me faktin se Kina po afrohet pranë nesh, duke investuar shumë në infrastrukturën tonë në Europë dhe në hapësirën tonë kibernetike," i tha Stoltenberg të martën.

Mbledhja e udhëheqësve të NATO-s. Gazeta Si, 2019

Sipas zyrtarëve të lartë të NATO-s, rreziku kryesor për vendet anëtare është futja e teknologjisë 5G të prodhuar nga Kina. Ekspertët po e krahasojnë garën në fushën kibernetike mes SHBA-së dhe Kinës me garën e armëve të Luftës së Ftohtë. Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuar që mbizotërimi në rrjetin 5G do t’i jepte një konkurrenti global siç është Kina një avantazh që Uashingtoni nuk është i gatshëm ta pranojë.

Gjatë samitit të NATO-s, presidenti Donald Trump u ka bërë thirrje të gjitha vendeve anëtare të ndalojnë përdorimin e pajisjeve të telekomunikacionit të prodhuara nga Huawei. Trump tha se kompania kineze e telekomunikacionit ishte një rrezik për sigurinë e NATO-s.

"Unë mendoj se Huawei paraqet një rrezik të lartë për sigurinë e NATO-s," tha Presidenti amerikan Donald Trump duke iu referuar Huawei.

"Unë fola me kryeministrin italian Xhupeze Konte dhe Italia nuk do të cojë përpara bashkëpunimin me Huaëin. Unë fola me vendet e tjera anëtare të aleancës dhe më lejoni t’ju them se edhe ata kanë dyshime, "u tha Trump ai gazetarëve në Londër.

Nga ana tjetër, i pyetur për Huawei, Kryeministri britanik Boris Johnson tha për Mbretërinë e Bashkuar ishte e rëndësishme të balancoheshin investimet e huaja dhe siguria kombëtare.
Tanimë pajisjet 5G të Huawei janë instaluar nga të katërta rrjetet e telefonisë celulare në Mbretërinë e Bashkuar, por këto rrjete janë ende në fazat e hershme të përdorimit të teknologjisë. Rrjetet e telefonisë celularë, përfshirë edhe kompaninë Vodafone, kanë argumentuar se ndalimi i pajisjeve të kompanisë kineze 5G do të ngadalësonte ndjeshëm azhurnimin e shërbimeve 5G në të gjithë vendin. Por sipas Johnson, Britanisë së Madhe mund t’i duhet të bëjë një hap pas.

"Ne nuk mund të rrezikojmë sigurinë tonë kombëtare, por as nuk mund të paragjykojmë kompanitë e huaja, përpara se të bashkëpunojmë me ta . Ky lloj balancimi do të jetë ndër kriteret kryesore që do të ndjekim përpara se të marrin një vendim për Huawei," u tha Johnson gazetarëve të mërkurën. "Nuk dua që Britania e Madhe të mbajë një qëndrim të panevojshëm armiqësor ndaj investimeve nga jashtë," shtoi ai. Ndërkohë, në një përgjigje të menjëhershme ndaj komenteve të liderëve të NATO-s, Huawei tha se ishte i sigurt se qeveria britanike do të mbante një qëndrim "objektiv".

Mbledhja e udhëheqësve të NATO-s. Gazeta Si, 2019

Mediat britanike shkruajnë se gjatë samitit në Londër, Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar vendet anëtarë të NATO-s të qëndrojnë larg përdorimit të pajisjeve të prodhuara nga Huawei, duke thënë se ato mund të përdoren nga Kina për spiunazh.

Duke folur për “Reuters”, një zyrtar i lartë amerikan tha se Kina paraqet sfidën më të madhe për NATO-n dhe dëshiron të minojë rendin ndërkombëtar.

"Kina po përpiqet të ketë një prani të madhe dhe më shumë ndikim në të gjithë globin, përfshirë këtu edhe vendet anëtare të NATO-s," tha zyrtari,

Në total, 29 vende kanë marrë pjesë në samitin e NATO-s në Londër, ku Huawei ka qënë temë bisede në disa konferenca për shtyp. Në përfundim të samitit, vendet anëtare duket se iu bindën “vullnetit” të SHBA-së, pasi në deklaratën e tyre të përbashkët ranë dakort që të bashkëpunonin për të mbrojtur infrastrukturën e telekomunikacionit.

"Aleatët janë të përkushtuar për të bashkëpunuar kundër rreziqeve që na kanosen në fushën telekomunikacionit, përfshirë këtu edhe këtu teknologjinë 5G”, thuhej në deklaratën përbashkët të vendeve anëtarë të NATO-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë