Bota

NATO mblidhet me urgjencë, por një kundërvënie ushtarake ndaj Rusisë duket e pamundur

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thirrur një mbledhje urgjente të NATO-s për të koordinuar vendimet e veprimet që aleanca ushtarake perëndimore duhet të ndërmarrë si kundërpërgjigje ndaj sulmit rus ndaj Ukrainës.

Ai dënoi me forcë sulmin që e cilësoi të paprovokuar dhe që vendos në rrezik jetën e miliona njerëzve.

“Edhe një herë, pavarësisht paralajmërimeve tona të përsëritura dhe përpjekjeve të palodhura për t’u angazhuar në diplomaci, Rusia zgjodhi rrugën e agresionit ndaj një shteti sovran dhe të pavarur”, deklaroi Stoltenberg.

Sekretari e cilësoi shkelje të rëndë të ligjeve ndërkombëtare, kërcënim serioz i sigurisë së Perëndimit dhe njoftoi takimin urgjent të vendeve anëtare.

“Aleatët e NATO-s do të takohen për të diskutuar për pasojat ndaj veprimeve agresive të Rusisë. Ne qëndrojmë krah popullit të Ukrainës në këtë kohë të tmerrshme. NATO do të bëjë gjithçka që duhet për të mbrojtur të gjithë aleatët”, tha ai.

Por, të gjithçka mbetet thuajse e pamundur gjetja e një dakordësie unanime për t’iu kundërvënë ushtarakisht Rusisë. Në të shkuarën, vende anëtare të Aleancës, si Kroacia, Hungaria dhe Turqia kanë deklaruar se janë kundër dërgimit të trupave, apo mbrojtjes ushtarake për Ukrainën në rast konflikti me Rusinë.

Ndërkohë, pas takimi online të së mërkurës të vendeve anëtare të Aleancës, Turqia deklaroi se ishte kundër sanksioneve ndaj Rusisë, një qëndrim që nënkupton se automatikisht Ankaraja nuk do të bëhet pjesë e një ndërhyrjeje ushtarake.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë