Bota

Protestat pro-BE nuk ndalen në Gjeorgji, lideri i opozitës dhunohet dhe arrestohet (Video)

Gazeta Si – Për t’i rezistuar gazit lotsjellës nga na e policisë, të rinjtë gjeorgjianë u organizuan sërish, sapo protestuesit e asfiksuar nga gazi trajtohen, të tjerët zënë vendin e tyre.

“Nuk dorëzohemi, sa më shumë të na rrahin, aq më shumë do të dalim në rrugë”, siguron Daçi, 17-vjeçari, i cili është rreshtuar për të gjashtën natë radhazi para Parlamentit në “Avenue Rustaveli” në Tblisi.

Qendra e Tbilisit duket si një zonë lufte, pasi qeveria e udhëhequr nga partia pro-ruse Ëndrra Gjeorgjiane vendosi të pezullojë deri në vitin 2028 të gjitha negociatat e nevojshme për të vazhduar rrugën e integrimit evropian.

Mbrëmjen e djeshme, ashtu si edhe mbrëmjet e kaluara, në drejtim të Kuvendit dhe forcave të policisë, u hodhën fishekzjarrë, ndërsa efektivët ushtruan me forcë për të shpërndarë turmën, duke goditur qytetarët me shkopinj dhe topa uji. Disa persona, të paktën 30, u plagosën, pesëmbëdhjetë janë shtruar në spital.

Në mesin e 300 të arrestuarve ishte gazetari Giorgi Chagelashvili, i liruar më vonë, i cili gjithashtu mori një gjobë prej 600 eurosh “për daljen jashtë kufijve të veprimtarisë së tij profesionale”. Mediat raportojnë se gjatë protetave u rrah dhe u arrestua edhe kreu i partisë opozitare Akhali, Nika Gvaramia.

Presidentja gjeorgjiane, Salome Zurabishvili akuzoi, në një postim nëplatformën “X” forcat “Omon” (policia politike sovjetike) të Endrrës Gjeorgjiane se kanë përdorur forcë në mënyrë të tepruar, duke dënuar edhe “arrestimet në masë dhe keqtrajtimet” ndaj tyre.

Ministria e Brendshme e Gjeorgjisë akuzoi protestuesit se kanë hedhur në drejtim të policisë sende të forta, fishekzjarrë dhe objekte të ndezshme të llojeve të ndryshme.

Pak orë para fillimit të demonstratës, kryeministri Irakli Kobakhidze kishte akuzuar edhe një herë opozitën dhe organizatat joqeveritare se kishin “orkestruar” përplasjet mes protestuesve dhe policisë.

Kobakhidze lëshoi ​​gjithashtu një paralajmërim të qartë, duke thënë se ata që qëndrojnë pas protestave nuk do të mund t’i shpëtojnë përgjegjësive të tyre.

Dje, Gjykata Kushtetuese në Gjeorgji konfirmoi rezultatin e zgjedhjeve legjislative të 26 tetorit, duke hedhur poshtë ankesën e opozitës së presidentes Zourabishvili. Gjykata sqaroi se vendimi i saj është përfundimtar dhe pa ankim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë