“US Open 2020” i femrave, turneu që do të mbetet në histori si Slam-i i “karantinës”, ka shpallur fituese japonezen Naomi Osaka, e cila fitoi me përmbysje ndaj Viktoria Azarenkës, 1-6, 6-3, 6-3. Pas një ndeshjeje që zgjati 1 orë e 53 minuta, Osaka ka merituar plotësisht trofeun e tretë të një turneu Slam në karrierën e saj.
Ishte një ndeshje me nivel të kënaqshëm, por më pak spektakolare se dy gjysmëfinalet e së enjtes. Nisja ishte e gjitha për bjellorusen, që e startoi fuqishëm, duke e gjetur ndoshta edhe pak të papërgatitur japonezen. Osaka u bllokua në setin e parë dhe bëri shumë faulle. Vika ishte si një tren, luante thuajse pa marrë frymë dhe Naomi e humbi logjikën. Për 26 minuta lojë Azarenka mbylli setin e parë 6-1. Ajo bëri gjithçka me shumë kujdes, ishte precize dhe potente.

Seti i dytë nis siç përfundoi i pari, por Osaka në një moment ia del të bëjë kthesën, duke i hequr mundësinë kundërshtares së saj të shkojë në 3-0. Bjellorusja humbet një shans të mirë dhe më pas Osaka ekuilibron lojën. Pas 67 minutash lojë, ndeshja shkon në setin vendimtar, pasi japonezja barazon 1-1. Në këtë set çdo gabim vendos ndeshje dhe japonezja shfrytëzon një faull të dyfishtë të Azarenkës në gejmin e katërt. Osaka “fluturon” e pashqetësuar deri në 4-1, por Vika nuk dorëzohet, ajo e çon setin në 4-3, por më pas nuk ka më energji dhe i duhet të kënaqet me vendin e dytë.
Naomi Osaka është mbretëresha e “US Open”. Për të është finalja e tretë e luajtur dhe e fituar në turnetë “Slam”. Më parë ka fituar titullin në Nju Jork në 2018-ën ndaj Serena Uilliams (6-2, 6-4), si dhe në “Australian Open” në 2019-ën ndaj Petra Kvitovës (7-6, 5-7, 6-4). Për Azarenkën është finalja e tetë e humbur në 5 të luajtura.

Osaka është tenistja e dytë në 30 vitet e fundit që arrin të fitojë finalen e “US Open”, duke qenë në disavantazhin e një seti. I vetmi precedent i kësaj natyre është ai i Arantxa Sançez, që mundi Stefi Graf në edicionin e 1994-ës 1-6, 7-6, 6-4. Gjatë këtij turneu, Osaka ka tërhequr vëmendjen edhe me mesazhet e saj kundër dhunës nadj afro-amerikanëve, duke mbajtur maska me emrat e viktimave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.