Shendet

Nanoplastikë e metale të rënda me rrezik, studimi tronditës mbi maskat njëpërdorimshe

Shkencëtarët në Universitetin e Swansea (Britani e Madhe), kanë zbuluar ndotës kimikë potencialisht të rrezikshëm që çlirohen nga maskat njëpërdorimshe kirurgjikale kur futen në ujë.

Me dëmtime të pallogaritshme në mjedis, por potencialisht edhe në shëndet.

Dihej që maska të tilla ishin një problem i madh për planetin, por ndikimi i tyre mund jetë më shkatërrues sesa pritej dhe jo vetëm për mjedisin, por edhe për shëndetin e njeriut.

Në fakt, një studim i ri ka zbuluar praninë e niveleve të larta të ndotësve, duke përfshirë plumbin, bakrin dhe antimonin, në fijet e bazuara në copë dhe plastikë të këtyre pajisjeve mbrojtëse personale që mbajmë veshur çdo ditë për më shumë se një vit.

Sipas asaj që shkencëtarët kanë zbuluar, rreziku i këtyre ndotësve kimikë, rritet kur maskat përfundojnë në ujë.

Kërkimi shkencor, i kryer nga një ekip studiuesish “College of Engineering della Swansea University”, u publikua në portalin “Science Direct”.

“Ne të gjithë duhet të vazhdojmë të përdorim maska ​​për fytyrën, sepse ato janë thelbësore për t'i dhënë fund pandemisë. Por ne gjithashtu urgjentisht kemi nevojë për më shumë hulumtime dhe rregullore mbi prodhimin e maskave, në mënyrë që të zvogëlojmë rreziqet në mjedis dhe shëndetin e njeriut", - tha Dr. Sarper Sarp, autori kryesor i studimit.

Foto e publikuar nga "Science Direct"

Rreziqet e mundshme për shëndetin e njeriut

Testet e kryera nga shkencëtarët e Mbretërisë së Bashkuar, janë përqendruar në lloje të ndryshme të maskave të disponueshme, si ato standarde, ashtu edhe ato me ngjyra të përdorura nga fëmijët, të cilat janë shumë të njohura në Britani.

Vetë ekspertët u befasuan nga shkalla e ndotësve të pranishëm në maska. "Rezultatet zbulojnë nivele të konsiderueshme të ndotësve në të gjitha maskat e testuara, me mikro / nano grimca dhe metale të rënda të lëshuara në ujë gjatë të gjitha provave. - ​​shpjegon ekipi hulumtues. - Kjo do të ketë një ndikim thelbësor mjedisor dhe për më tepër, do të rrisë çështjen e dëmit të mundshëm në shëndetin publik”.

Studiuesit gjithashtu gjetën gjurmë të metaleve të rënda të rrezikshme, si plumbi (deri në 6.79 µg / L), kadmiumi (deri 1.92 µg / L), antimoni (deri 393 µg / L) dhe bakri (deri 4.17 µg / L).

"Ekspozimi i përsëritur mund të jetë i rrezikshëm pasi substancat shoqërohen me vdekjen e qelizave, gjeno-toksicitetin dhe shfaqjen e kancerit", - shtojnë ekspertët, të cilët rekomandojnë kërkime të mëtejshme për të hetuar çështjen.

Kërkohet një hetim i plotë për të përcaktuar sasitë dhe ndikimet e mundshme të këtyre grimcave që depërtojnë në mjedis dhe thithen nga njerëzit gjatë frymëmarrjes. Ky është një shqetësim i madh, veçanërisht për punonjësit e kujdesit shëndetësor, fëmijët dhe për të gjithë ata që u kërkohet të mbajnë maska ​​për disa orë në punë ose në shkollë".

Foto e publikuar nga "Swansea University"

Ndikimi i maskave një përdorimshe në mjedis

Studiuesit e Universitetit të Sëansea-s, nuk janë kufizuar vetëm në rreziqet që paraqesin maska të tilla për shëndetin e njeriut, por gjithashtu kanë theksuar ndikimin shkatërrues në ekosistemet që lidhen me asgjësimin e papërshtatshëm të këtyre pajisjeve mbrojtëse personale.

"Për të bllokuar përhapjen e SARS-CoV-2, prodhimi i maskave një përdorimshe plastike të fytyrës (DPF), vetëm në Kinë ka arritur rreth 200 milionë copë në ditë. - komenton Dr. Sarp. - Sidoqoftë, asgjësimi i papërshtatshëm dhe i parregulluar i këtyre pajisjeve mbrojtëse personale, paraqet një problem të ndotjes plastike, të cilin ne tashmë po e adresojmë dhe që do të vazhdojë të intensifikohet. Ekzistojnë një sasi shqetësuese e provave që sugjerojnë se mbeturina të tilla, mund të lëshojnë ndotës, thjesht duke rënë në kontakt me ujin. Shumë nga ndotësit toksikë të gjetur në hulumtimet tona, kanë veti bioakumuluese kur lëshohen në mjedis dhe rezultatet tona tregojnë se maskat një përdorimshe të fytyrës mund të jenë një burim kryesor i këtyre ndotësve mjedisorë gjatë dhe pas pandemisë Covid-19".

KUJDES - Hulumtimi, i cili është kryer në 7 marka të pajisjeve të tilla të certifikuara (kryesisht me ngjyra), zbulon se shpërndarja në mjedis, mund të jetë më dramatike se sa mendohej. Tani kemi konfirmimin se nëse hidhen në det, dëmi do të jetë i pallogaritshëm dhe më shumë nga sa mendohej. Por gjithashtu, ekziston edhe nevoja për reflektim, siç thonë vetë studiuesit, për të kryer më shumë kërkime mbi dëmet që rrjedhin nga thithja e këtyre substancave dhe nga një përdorim i zgjatur i këtyre pajisjeve mbrojtëse mjekësore, veçanërisht për fëmijët, nga të cilat megjithatë në këtë moment njerëzimi ende ka nevojë.

E gjitha kjo, siguron një arsye të mëtejshme për preferimin e përdorimit të maskave prej cope, të cilat sipas studimeve të fundit janë po aq efektive. Studimi nuk ka marrë në konsideratë maskat e modeleve FFp3 dhe FFp2.

Burimi: “Science Direct/ Swansea University”; Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë