Lojëra me Dore

Nadal pesimist: U tmerrova në fillim, duhet kohë ta kalojmë këtë tragjedi

“Roland Garros”, turneu i tij i preferuar, u shty për më 20 shtator, “Uimbëlldoni” është anuluar, ndërsa për “Us Open” nuk dihet ende asgjë. Rafael Nadal mendon se “agjërimi” i tenisit do të zgjatë jo pak për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Sporti ynë është pak më ndryshe se të tjerët, thuajse çdo javë udhëtohet nga një vend në një vend tjetër. Duhet të jemi të përgjegjshëm. Më duket e vështirë që të kthehemi të luajmë brenda një kohe të shkurtër”, - ka deklaruar për radion spanjolle “Onda Cero” numri 2 në botë i tenisit. “Më parë duhet të kalojmë këtë tragjedi, pastaj edhe nëse do të kthehemi të luajmë me dyer të mbyllura, do të isha i lumtur ta bëja”, - shton ai.

Nadal e ka zhvilluar ndeshjen e fundit më 1 mars, kur mundi Fritz në dy sete, për të fituar turneun e Akapulkos. Spanjolli pranon se pandemia e koronavirusit e ka frikësuar shumë: “Në fillim lajmet ishin aq të tmerrshme sa nuk doja të bëja asgjë, më pas, me kalimin e ditëve, u riktheva në rutinën time dhe nisa të mendoj pozitivisht”.

Për Rafael Nadal, momenti më i keq ishte ai pas kthimit nga Indian Uells, një nga turnetë e anuluar. “U shpall gjendja e emergjencës dhe nuk u surprizova shumë, pasi shihja atë që po ndodhte në Itali. Nuk kam një fushë në shtëpi, por kjo është ajo që më intereson më pak në këtë moment. Bëj ushtrimet e mia, që trupi të mbetet aktiv, por jam i ndërgjegjshëm që është diçka serioze, që do të vazhdojë gjatë”, - është shprehur Nadal. Në ishujt Baleari, ku Nadal jeton, viktimat deri tani janë 125, nga 1606 raste të infektuarish.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë