Lojëra me Dore

Nadal në turin e tretë, kalojnë edhe Tsitsipas dhe Shviatek

Gazeta Si - Rafael Nadal dhe Stefanos Tsitsipas kanë kaluar pa shumë probleme në turin e tretë të Uimbëlldonit. Spanjolli eliminoi lituanezin Berankis, kurse greku mundi Tompson. Te femrat, Iga Shviatek humbi një set ndaj Patinama Kerkhove.

Nadal do të ndeshet me Sonego në turin e tretë. Numri 2 në botë kaloi pas 4 setesh Berankis, në një ndeshje më të gjatë nga sa mund të ishte parashikuar për shkak të shiut.

Rafa humbi një set, por u kualifikua me rezultatin 6-4, 6-4, 4-6 dhe 6-3. Nuk zhgënjeu as numri 4 në botë, Stefanos Tsitsipas. Pas 3 setesh greku çoi në shtëpi Xhordan Tompson, me rezultatin 6-2, 6-3 dhe 7-5.

Në 1/16 e Uimbëlldonit Tsitsipas do të ndeshet me australianin Nik Kirgios, i cili mundi për një orë e 26 minuta serbin Filip Krajinoviç (numri 26), me rezultatin 6-2, 6-3 dhe 6-1.

Është eliminuar Denis Shapolavov, që u mund nga 20-vjeçari Nakashima. Në bar kanadezi vuajti shumë dhe amerikani përfitoi për ta mbyllur ndeshjen në 4 sete, 6-2, 4-6, 6-1 dhe 7-6.

Te femrat është kualifikuar numri 1 në botë, Iga Shviatek. Polakja mundi holandezen Patinama Kerkhove 6-4, 4-6 dhe 6-3. Shviatek e mbyli ndeshjen për 2 orë dhe në turin tjetër do sfidojë francezen Kornet.

Nje imazh spektakolar i spektatoreve, duke ndjekur nje ndeshje ne Uimbelldon. Gazeta Si, 1 korrik 2022

Paraqitje e mirë edhe për Paula Badosa. Spanjollja eliminoi rumunen Irina Maria Bara dhe në turin tjetër do ndeshet me Petra Kvitova. Jashtë turneut ka dalë papritur çekja tjetër, Karolina Pliskova, numri 7 në botë. Ajo u mund nga britanikja Boulter, numri 118.

Është kualifikuar edhe Simona Halep, që e administroi shumë mirë ndeshjen ndaj belges Flipkens. Tani do ndeshet me polaken e re Magdalena Fręnç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë