Lojëra me Dore

Nadal mbret në Paris, fiton për herë të 12-të në “Roland Garros”

Tenisti spanjoll, Rafael Nadal, ka mundur 3-1 në finalen e "Roland Garros" austriakun Dominik Tiem, i cili nuk ishte në gjendje të mbante ritmin e "mëngjarashit" nga Maiorka. Nadal fali vetëm setin e dytë, më pas dominoi totalisht, duke mos i lënë asnjë shans kundërshtarit. Katër setet e finales përfunduan 6-3, 5-7, 6-1 dhe 6-1.

Finalja shkoi ashtu siç pritej. Asgjë dhe askush nuk e ka ndalur Rafael Nadalin për të triumfuar në "Roland Garros" për herë të 12-të. Para spanjollit është përulur Dominik Tiem, ashtu si në 2018-ën. Ndeshja u mbyll për 3 orë e 1 minutë. Dominim absolut i spanjollit, shumë i përqendruar për të shfrytëzuar momentet kyçe të ndeshjes. Nadal ishte impresionues edhe këtë herë, sidomos kur shërbimet i kishte kundërshtari. Ai fitoi bindshëm setin e parë, humbi të dytin, që ishte shumë i ekuilibruar, ndërsa në dy setet e fundit arriti ta nënshtronte plotësisht kundërshtarin. Nadal ka dhënë spektakël për të pranishmit në këtë finale, të cilët kanë shijuar një tenis të nivelit të lartë nga mbreti i "Roland Garros".

Nadal dhe Tiem pas finales në Paris

Një rrotullim në tokën me dhe të kuq të "Roland Garros" nga ana e spanjollit, që ka regjistruar tregues vërtet impresionues në këtë finale. Për Rafael Nadal është hera e 12-të që triumfon në këtë turne, është Slam-i numër 18, 2 më pak se rekordi (20) i Roxher Federerit, që tani është seriozisht i rrezikuar. Nadal ka fituar në Paris në fillim 4 herë radhazi (2005-2008), më pas një seri prej 5 suksesesh (2010-2014) dhe tani 3 tituj të tjerë radhazi (2017-2019). I vetmi tenist që ka fituar në "Roland Garros" më shumë se spanjolli është Ken Rosuoll.

Rafael Nadal pas përfundimit të ndeshjes në "Roland Garros"

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë