Lojëra me Dore

Nadal heq dorë nga Uimbëlldoni dhe Olimpiada: Duhet të dëgjoj trupin tim

Rafael Nadal nuk do të marrë pjesë në turneun e Uimbëlldonit dhe në Lojërat Olimpike të Tokios. Lajmi është bërë i ditur nga vetë tesnisti spanjoll me anë të rrjeteve sociale:

“Nuk është asnjëherë një vendim i lehtë për t’u marrë, por pasi dëgjova trupin dhe diskutova me skuadrën time, e kuptova se është vendimi i duhur. Dua ta zgjas karrierën dhe të bëj atë që më bën të lumtur, të jem në nivelet më të larta dhe të luftoj për objektiva profesionalë dhe personalë sa më të larta”, - ka shkruar Nadal në postimin e tij.

Rafael Nadal, 35 vjeç. Gazeta Si, 18 qershor 2021

Pas eliminimit në gjysmëfinale të Roland Garros nga Gjokoviç, Nadal merr kështu një pushim të gjatë, edhe për shkak të kalendarit. “Fakti që janë vetëm dy javë mes Roland Garros dhe Uimbëlldonit nuk e lehtëson rikuperimin pas sezonit impenjativ në turnetë me dhe. Kanë qenë 2 muaj të lodhshëm dhe këtë vendim po e marr për të ardhmen time. Lojërat Olimpike kanë qenë gjithmonë të rëndësishme dhe prioritet për mua. Kam marrë pjesë në 3 Olimpiada dhe kam pasur nderin të jem flamurmbajtës i vendit tim”, - ka shtuar Nadal.

Spanjolli ka mbushur 35 vjeç, ka fituar 2 trofe këtë sezon, në Barcelonë kundër Tsitsipas dhe në Romë kundër Gjokoviçit. Në karrierën e tij, Nadal ka triumfuar dy herë në Uimbëlldon, në 2008-ën dhe 2010-ën. Me shumë mundësi, objektivi i tij është rikthimi në US Open, që fillon më 30 gusht dhe ku Nadal ka fituar 4 herë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë