Ana e errët

“Na bezdisët me këto kontrolle”. Të rinjtë sfidojnë policët dhe u kërkojnë llogari: Pse po na verifikoni?

Ndonjëherë postblloqet e kontrollet kudoshme të policisë, në mos na shqetësojnë me praninë e tyre, na shtyjnë në kuriozitet se mos ka ndodhur ndonjë ngjarje në qytetin ku banojmë.

Por, ka persona që trazohen pa asnjë arsye dhe madje kur pyeten nga policia e thonë troç fare se janë besdisur nga kaq shumë kontrolle. Aq shumë e kanë përjetuar disa të rinj thirrjen e forcave “Shqiponja”, që t;ju jepnin dokumentin e identifikimit, saqë ua kanë thënë drejtpërdrejt “do ju nxjerrim në rrjetet sociale se na keni mërzitur me këto krehje zone”.

Sipas policisë gjyqësore, që i dëgjoi në komisariat, edhe të rinjtë edhe policinë, nuk është rasti që katër të rinjtë të konsiderohen si kundërshtues të policisë, mbasi atyre u kishte ndodhur shpesh që të ndaleshin nga policia dhe reagimi i tyre nuk ishte aspak i dhunshëm, por vetëm në pozitat e një njeriu të habitur.

Kallëzimi në komisariatin numër 2, sipas burimeve të Gazetës Si, u bë nga polici, E.D 30 vjeç që thotë se është efektiv policie pranë forcave të posaçme Shqiponja. Ai gjendej në shërbim ditën kur drejtoria vendore e Tiranës e kishte caktuar me plan masash në rrugën Sulejman Delvina thotë zyrtarisht një burim policor i Gazetës Si.

Policët vërejtën një mjet të ndaluar në rrugën rrugën “Isuf Vrioni” që kryqëzohet me rrugën “Sulejman Delvina” dhe pranë mjetit tre persona që po bisedonin në këmbë. Njëri prej tyre po fliste me drejtuesin e automjetit, denoncon pranë kolegëve polici E.D.

“Ne ju afruam në këmbë mjetit, kurse njëri prej motorëve, ku ishin kolegët i afrohen djalit që ishte në këmbë dhe i kërkojnë dokumentin e identifikimit, por ai u përgjigj, nuk kam dokument me vete, përse po më ndaloni?. I kërkuam që ta kontrollojmë dhe nuk na lejoi duke thënë se unë këtu banoj dhe nuk keni asnjë arsye të më kontrolloni”.

I riu, sipas policit kallzues, ju është prezantuar duke ju paraqitur identitetin Xh.M. Sipas efektivit, edhe personi që gjendej në makinë ka refuzuar haptazi të identifikohej, e po ashtu edhe të kontrollohej. Arsyetimi i tij ka qenë i njëllojtë me të bashkëmoshatarit.

“Ata u prezantuan dhe quheshin G.M. dhe B.M. dhe nuk pranuan të japin dokumenta duke kërkuar llogari e duke na pyetur se cila ishte arsyeja që ne po kontrollonim e po u kërkonim dokumentet. Ata na paralajëmruan se do të na hiqnin nga puna dhe na kërkuan llogari se përse kontrollonim aq shpesh në lagjen e tyre”.

Policët përshkruajnë se banorët e lagjes madje janë afruar dhe pa u stepur ju kanë drejtuar aparatet e telefonit. “U afruan dhe me telefon në dorë na filmuan, njëri prej tyre na tha se do na nxirrnin në mediat sociale dhe më aktivët ishin shtetasit K.S. dhe E.G.”

Sipas burimeve, edhe këta dy të fundit u shoqëruan në polici për t’u verifikuar dhe më pas që të gjithë u lanë të lirë. Kolegët e tyre shkruajnë se gjatë kontrollit të të rinjve nuk u gjet asnjë send i ndaluar dhe asnjë gjë e dyshimtë dhe se të rinjtë nuk ishin me precedente dhe as problematikë.

Bëhet me dije se policia i pyeti secilin nga tre të rinjtë, që fillimisht u pikasën duke biseduar në afërsi të makinës së parkuar në lagje. Xh. M. sqaron, sipas burimeve se nuk ju bind policisë “pasi jam bezdisur nga kontrollet e shpeshta të policisë në lagje”.

Të njëjtën gjë shtuan veç e veç edhe dy të rinjtë e tjerë që rezulton se banojnë në të njëjtën lagje.

“Ne jetojmë aty dhe më pasi ua thamë dhe i pyetëm në normalitet se cila ishte arsyeja që po na kontrollonin, ua dhamë kartat e identitetit dhe u identifikuam me emër dhe mbiemër”, dëshmon i riu B.M.

Megjithëse të tre shokët u lanë menjëherë të lirë me shënimin “nuk ju gjet asnjë e paligjshme”, policët që i shoqëruan ata këmbëngulin se të tre nuk ju bindën, e ndaj sipas tyre ata duhet të procedohen për nenin 242 të Kodit Penal.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë