Ngjarje

Muzeu Historik Kombëtar, rikonceptim fizik dhe ideologjik

Suadela Balliu - Zgjodhi  pikërisht ditën e 37 vjetorit të përurimit të Muzeut Historik Kombëtar, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro për të thënë se kjo ndërtesë, e ndërtuar si pasuri e rëndësishme kombëtare  e vendoste përpara sfidës së rimendimit.Ministrja në një postim në faqen e saj të Facebook, ditën e diel, zbulonte se kishte nisur puna për rikonceptimin e këtij institucioni si “një itinerar i së shkuarës, që duhet t’i flasë së sotmes, por edhe të njohë gjuhën e së ardhmes”.Drejtoresha e Institutit  të Monumenteve të Kulturës, Arta Dollani, zbulon për gazetën “Si”, se puna për rikonceptimin e Muzeut Historik Kombëtar ka nisur tashmë prej një viti e gjysmë, ndërsa në muajin gusht është lidhur edhe kontrata me studion arkitekturore dhe puna ka nisur në bashkërendim me grupin e ekspertëve.

Rikonceptimi, thotë znj.Dollani është i ndarë në dy komponentë kryesorë. “Së pari bëhet fjalë për konceptimin fizik të objektit, duke e konceptuar tashmë nga pikëpamja urbane, si një vendndodhje ku ndërthuren të gjitha akset e komunikimit të qytetit të Tiranës, si edhe për faktin se ai objekt është shumë hermetik, si një bunker në shesh.” Dollani thotë se është rikonceptuar hyrja dhe qarkullimi në të. “Duhet të jetë më transparent, më i aksessueshëm dhe ftues, sepse tani është tamam si një bunker, i ftohtë dhe aspak ftues.”Këto do të jenë ndryshimet që do të bëhen në katin përdhe, në atë që vëren edhe syri i qytetarit këmbësor.

Drejtoresha e Institutit  të Monumenteve të Kulturës, Arta Dollani,

Dollani shton, se objekti vetë është në gjendje në degraduar. I ndërtuar në vitet ’80, në periudhën kur Shqipëria i kishte prishur marrëdhëniet e miqësisë me Kinën dhe Rusinë, “ato që janë ndërtuar në periudhën e miqësisë me këto dy shtete ishin më cilësore”, shton Dollani, dhe Muzeu Historik Kombëtar u ndërtua si një produktet krejt shqiptar, në kohën e një izolimi total, edhe me vendet e tjera komuniste “Dhe shkonte me parullën “Me forcat tona!”, thotë drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës, duke shtuar se muzeu do të zhvishet edhe nga komponenti ideologjik. Veç hapjes së  disa hyrjeve, shfrytëzimin e oborrit të pasmë si një hapësirë me potencial për t’u shfrytëzuar, muzeu do të preket edhe nga brenda, ku siç zbulon Dollani, qysh prej viteve ’80, kur edhe u inaugurua e deri më sot, nuk u ndërhy në rikonceptimin, pasurimin apo ndryshimin e artefakteve.

Epitafi i Gllavenicës

Në mjediset e muzeut gjenden aktualisht rreth 5000 objekte, të cilat i përkasin një periudhe, nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX.“Ka artefakte të mrekullueshme.  Për  mendimin tim, por edhe të shumë ekspertëve, koleksioni i ikonave, Epitafi i Gllavenicës, të gjithë objektet  e arkeologjisë, janë të rëndësishme.”Duke bërë një krahasim me xhevahiret e muzeve të rëndësishëm në botë, Dollani shton “Nëse Luvri ka Xhokondën, ne kemi Epitafin e Gllavenicës.”Edhe linja e ekspozimit të artefakteve dhe historisë, do të rikonceptohet, “duke shfaqur vetëm faktet, sepse  një ideologji të fortë lufte brenda muzeut. Madje edhe mozaiku jashtë portretizon skenë lufte.”

“Grupi i ekspertëve trajton secili periudhën e vetë dhe do të paraqesë secili idetë e veta se cilat janë ngjarjet kryesore, që kanë edhe domethënien më të madhe në territorin tonë.”

Duke u ndalur pikërisht tek ky mozaik, Dollani zbulon se nuk do të lëvizet nga vendi i tij, por do t’i nënshtrohet restaurimit. “Ka degradim shumë të thellë. Kolonat e hyrjes, kanë brenda tubat e shkarkimit të ujërave, janë çarë dhe lagështira ka depërtuar. Çarjet e mozaikut janë shkaktuar pikërisht nga lagështira.” Këto kushte kërkojnë ndërhyrje shumë të thellë dhe bashkë me të, ka lindur nevoja e rigjallërimit të të gjithë skemës së muzeut, nga temperatura, lagështia e ndriçimit.

Rëndësi do t’i kushtohet edhe pavijoneve të veçanta, siç është ai i Terrorit Komunist apo ai i Nënë Terezës, “që i duhet kushtuar vendi që meriton sipas kronologjisë historike me faktet që kemi dhe jo me fotografi personalitetesh bashkë me të, por për figurën e saj. Gjithashtu edhe Etnografisë do t’i kushtohet vëmendje, pasi kemi thesare aty.”Grupi i ekspertëve të përfshirë në këtë projekt përfshijnë emra si Paskal Milo, Pëllumb Xhufi, Afrim Krasniqi, Lorenc Bejko, Luan Përxhita, Artan Puto. Të përfshirë janë edhe institucione si Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Historisë.“Grupi i ekspertëve trajton secili periudhën e vetë dhe do të paraqesë secili idetë e veta se cilat janë ngjarjet kryesore, që kanë edhe domethënien më të madhe në territorin tonë.”

Ndërsa arkitektët janë ata që do të përcaktojnë hapësirat, ku do të  ekspozohen materialet e paraqitur nga historianët dhe arkeologët.Punimet, sqaron drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës, do të kryhen pjesë-pjesë, gjë që nuk do të kërkonte zhvendosjen e artefakteve, por gjithashtu do të mundësonte shërbimin, qoftë edhe minimal, të muzeut për publikun. “Nëse do të ketë nevojë për restaurim apo konservim  të artefakteve, laboratorët e Institutit të Arkeologjisë dhe të Institutit të Monumenteve janë në dispozicion.”A kanë pasur ky grup pune një model të ngjashëm referimi të muzeve në botë? Dollani thotë, se çdo muze i rikonstruktuar në Europë, mund të ishte model i ngjashëm “sepse në skemën e tyre funksionale fusin shërbimin për publikun; libraria, kafeneja, ambienti  për fëmijët, një holl i madh dhe informues, recepsion krejt ndryshe nga ai tradicionali që kemi.”

Me rëndësi do të jetë edhe teknologjia, ku sipas Dollanit do të ofrohen tablete, kompjuterë apo ekrane me informacionin e nevojshëm për vizitorët. “Edhe biblioteka rikonceptohet për të qenë afër publikut, po ashtu edhe administrata kalon në katin përdhe. Ideja është që të gjithë të jenë në shërbim të publikut.”Në postimin e saj të Facebook-ut, ministrja Kumbaro shkruante se muzeu duhet të komunikojë me sheshin, të demokratizohet dhe t’i hapet qytetit, për të mos qenë vetëm një fasadë që shërben si dekor hermetik për të bërë foto. Me fizionominë e sheshit të ri “Skënderbej” a do të pësonte të njëjtin ndryshim edhe godina përbri Muzeut, Pallati i Kulturës, ku strehohen sot institucione të rëndësishme si Teatri i Operas dhe Baletit apo Biblioteka Kombëtare.

 “Këto hapësira, si atriumi i brendshëm i Muzeut, ai i pjesës së pasme të Pallatit të Kulturës duhet të lidhen me njëra-tjetrën. Dikur Pallati i Kulturës ka qenë me xhama, ku shihej çfarë kishte brenda. Ideja është e mundësimit për të hyrë nga sheshi e për të dalë qoftë në oborrin e brendshëm të muzeut apo në pjesën e pasme të Pallatit të Kulturës. Të përshkohet, të mos ekzistojnë barrierat, qytetari të bëhet kureshtar, të hyjë e të dalë. Në fund të kthehet në një objekt social, sepse aktualisht është shumë  antisocial”, thotë Dollani.

Të hysh aty,  është të thyesh shumë barriera, dhe të hapësh shumë diskutime dhe ne jemi shumë të ndërgjegjshëm. Ka shumë rezistencë.”

Ajo shton se arsyet që nuk është ndërhyrë në këtë godinë, nuk kanë qenë vetëm financiare. “Është më shumë çështje mentaliteti. Të hysh aty,  është të thyesh shumë barriera, dhe të hapësh shumë diskutime dhe ne jemi shumë të ndërgjegjshëm. Ka shumë rezistencë.”Dollani garanton se rikonceptimi nuk do të thotë shembje të godinës. “Është monument kulture dhe po ai do të jetë, thjesht do të hapet dhe do të bëhet shumë më i afërt me publikun sepse është tepër hermetik ashtu siç është. Rikonceptohet në skemën e tij funksionale. Nuk e di nga doli shembja.”

Grupi i ekspertëve të përfshirë në këtë projekt përfshijnë emra si Paskal Milo, Pëllumb Xhufi, Afrim Krasniqi, Lorenc Bejko, Luan Përxhita, Artan Puto. 

Krahas me punën për rikonceptimin e Muzeut Historik Kombëtar ka nisur puna edhe me rikonceptimin e Galerisë Kombëtare të Arteve. Këto janë dy projektet më të rëndësishme, të cilat ishin prioritare të mandatit të dytë të qeverisë, në fushën e kulturës. “U desh koha e duhur të  përgatiteshin termat e referencës, të kuptonin sesi do të ndërhynim dhe të gjenim strategjinë. Katër vitet e shkuar kemi punuar pikërisht me këtë; sesi do të ndërhynim”.Dollani thotë se janë konsultuar me ekspertë të huaj, të sjellë në Tiranë nga Ambasada Amerikane, ajo Italiane dhe Franceze, të cilat ofruan mbështetjen e tyre në këtë projekt. “Ata sollën ekspertë muzeologë, historianë, për të dhënë ekspertizën sesi do të rivitalizohej muzeu, në bazë të eksperiencës së tyre dhe specifikës së këtij muzeu. Për ta kthyer në një muze të qytetërimit, jo muze historik të ftohtë, por në një muze historik interaktiv.”

Edhe Galeria Kombëtare e Arteve po i nënshtrohet të njëjtit proces dhe nuk do të ketë shembje të godinës, “Është objekt i mrekullueshëm. Profesor Paja, që e ka projektuar ka bërë punë të mrekullueshme dhe është një nga objektet  më të mira të arkitekturës  bashkëkohore shqiptare.”Duke u kthyer edhe njëherë në temën e rikonceptimit të Muzeut Historik Kombëtar, Dollani thotë “Një nga diskutimet me ekspertë, u hodh ideja, sikur të ndërtonim një muze tjetër historik dhe këtë ta linim për ta quajtur “Muzeu i Muzeut”, për të treguar sesi bëheshin muzeut, që njerëzit kureshtarë të shihnin sesi futet ideologjia për të indoktrinuar njerëzit, duke shfaqur interpretimin e historisë në një muze kombëtar.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë