Teknologji dhe Inovacion

Musk paralajmëron se nuk e përjashton mundësinë e falimentimit të Twitter

Pronari i ri i Twitter Elon Musk, ngriti të enjten mundësinë e falimentimit të platformës së mediave sociale, duke mbyllur një ditë kaotike që përfshinte një paralajmërim nga një rregullator amerikan i privatësisë dhe largimin e drejtorit të sigurisë së kompanisë.

Miliarderi në bisedën e tij të parë me punonjësit tha se ai nuk mund të përjashtonte falimentimin, raporton Bloomberg, dy javë pasi e bleu atë për 44 miliardë dollar.

Më herët gjatë ditës, në emailin e tij të parë në të gjithë kompaninë, Musk paralajmëroi se Twitter nuk do të jetë në gjendje "ti mbijetojë rënies ekonomike të ardhshme" nëse nuk arrin të rrisë të ardhurat nga abonimet për të kompensuar rënien e të ardhurave nga reklamat, thanë tre persona që e kanë parë mesazhin.

Yoel Roth, i cili ka mbikëqyrur përgjigjen e Twitter për të luftuar gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin, dha dorëheqjen të enjten.

Në profilin e tij në Twitter të enjten, Roth e përshkroi veten si "Ish Shefi i Sigurisë" në kompani.

Më herët të enjten, Shefja e Sigurisë së Informacionit në Tëitter, Lea Kissner, postoi në Twitter se ishte larguar.

Shefi i privatësisë Damien Kieran dhe Marianne Fogarty gjithashtu dhanë dorëheqjen.

Robin Wheeler, drejtuesja kryesore e shitjeve të reklamave të kompanisë, u tha punonjësve se ajo po qëndronte në kompani.

"Unë jam ende këtu", shkroi Wheeler në Twitter vonë të enjten.

Komisioni Federal i Tregtisë i SHBA tha se po e shikonte Twitter me "shqetësim të madh" pasi tre oficerët e privatësisë dhe pajtueshmërisë u larguan. Këto dorëheqje potencialisht e vënë Tëitter në rrezik për të shkelur urdhrat rregullatorë.

Në takimin e tij të parë me shumë punonjës në Twitter të enjten pasdite, Musk paralajmëroi se kompania mund të humbasë miliarda dollarë vitin e ardhshëm.

Musk shtoi në emailin për punëtorët se puna në distancë nuk do të lejohej më dhe se ata do të punojnë në zyrë për të paktën 40 orë në javë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë