Ngjarje

Murtaja e gripi, Shqipëria ndal importin e mishit të derrit dhe shpendëve nga 6 shtete

Nga Gazeta Si - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka urdhëruar ndalimin e importit të kafshëve të gjalla, mishit të derrit, nënprodukteve të tij apo të shpendëve dhe nënprodukte të tyre nga 6 vende të ndryshme, pas shpërthimit të murtajës dhe gripit në këto shtete.

Sipas urdhrave të publikuar në Fletoren Zyrtare pas shfaqjes së murtajës afrikane të derrave në Ukrainë dhe Maqedoninë e Veriut ndalohet importi dhe tranzitimi për në territorin e Shqipërisë i të gjitha kafshëve të gjalla të llojit derra të butë dhe të egër, produkteve të tyre, materialit biologjik dhe embrioneve të derrave, si dhe e mishit të freskët dhe nënprodukteve të tij.

Vendimi shoqërohet edhe me tabelën sipas zonave të infektuara të Ukrainës dhe Maqedonisë së Veriut, nga të cilat ndalohet importi. Gjithashtu, vendimi përfshin kushtet që duhet të plotësojnë këto produktet që nuk iu përkasin këtyre zonave për t’u lejuar të futen në territorin shqiptar e që duhet të jenë të pasqyruara në certifikatën veterinare.

Sipas vendimit, lejohet importi dhe tranzitimi për në Shqipëri i kafshëve të gjalla të llojit derra të butë dhe të egër dhe nënprodukteve të tyre nëse certifikata shëndetësore veterinare vërteton se kafshët: a)  nuk  kanë  shfaqur  shenja  klinike  të  murtajës afrikane të derrave ditën e dërgesës; b) janë mbajtur që nga lindja ose për tre muajt e fundit në një kompartament (zonë) pa prezencë të murtajës afrikane të derrave; ose c) janë mbajtur në një stacion karantine, të izoluar për 30 ditë  përpara  dërgesës  dhe  i  janë  nënshtruar një testi virologjik dhe një testi serologjik të kryer të paktën 21 ditë pas hyrjes në stacionin e karantinës, me rezultate negative.

Po ashtu, është ndaluar importi i shpendëve të gjallë shtëpiakë, zogjve 24 orësh, shpendëve dekorativë, vezëve të shpendëve, mishi i shpendëve të patrajtuar termikisht dhe nënprodukte të  shpendëve të patrajtuara termikisht nga katër vende, Italia, Bullgaria, Norvegjia, Moldavia.

Në mars Shqipëria raportoj rastin e parë të murtajës afrikane të derrave, pasi u gjetën dy derra të infektuar në zonën e Kukësit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë