Interviste

Murrizi rrëfen opozitën ndryshe: Për spurdhjakët e gangot që duan shtyrjen e zgjedhjeve

Bledar Hoti - Opozita e re do ta tregojë se nuk është në shërbim të socialistëve në Parlament dhe këtë do ta tregojë me qëndrimet dhe nismat që do të mbajë. Deputeti i PD-së, Myslym Murrizi, i cili refuzoi të dorëzonte mandatin, së bashku me demokraten Rudina Hajdari, tashmë thekson se grupi i tyre i ri i opozitës tashmë në përballjen me socialistët ka sfidë ndryshimin e sistemit politik. Në intervistën për Gazeta “Si”, deputeti Murrizi shprehet se socialistët nuk kanë ndryshuar sjelljen ndaj opozitës, edhe pas dorëzimit të mandateve të ndërmarra nga PD dhe LSI. Ai e cilëson si të gabuar vendimin për dorëzimin e mandateve, ndërsa shton se opozita që në janar duhet të kishte nisur fushatën për zgjedhjet lokale, duke theksuar se e djathta mund të rrëmbente edhe bashki të mëdha si Durrësi apo Elbasani.

Zoti Murrizi, ju jeni në Parlament përfaqësues i asaj që po cilësohet si “opozita e re” apo opozita ndryshe. A ka ndryshuar sipas jush sjellja e mazhorancës në raport me opozitën e re, apo është e njëjta sjellje nga ana e socialistëve, ku vetëm sa ka ndryshuar retorika, që është zbutur disi?

Unë nuk shoh ndryshim qëndrimi nga mazhoranca, sepse në kulturën tonë politike prej 29 vitesh të gjitha mazhorancat pothuajse janë sjellë njëlloj me opozitën në Parlament. Pra kanë dëgjuar sipas Rregullores së Kuvendit diskutimet e deputetëve të opozitës dhe nuk kanë marrë në konsideratë asnjë gjë, por kanë votuar dhe vendosur me shumicën e votave për të realizuar atë që ato e kanë quajtur zbatim të programit të tyre elektoral. Ajo që ka ndryshuar në Kuvend prej 3 muajsh është vetëm fjalori. Kohët e fundit në Kuvend ishte bërë modë një fjalor që do ta kishin zili edhe rrugaçët e mejhaneve të lagjeve. Bëhej në dukje një “përplasje” e egër që secili të fitonte simpatinë e militantëve të tij dhe askush nuk foli një fjalë për hallet reale të qytetarëve si taksat,  varfëria, korrupsioni faturat e larta të energjisë arbitrariteti i administratës, shtesa e administratës lokale me ndarjen e re, ndryshimi i kësaj harte dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor që në fakt është origjina e ku ka lindur ky pushtet prepotent, arrogant, hajdut dhe ky Parlament servil i pështirë pa personalitet, pa përfaqësuar qytetarët shqiptarë, por thjesht manekinë apo numra me duar të ngritura përpjetë, sipas urdhrit tee tre pronarëve të 140 karrigeve të Kuvendit: Rama, Basha dhe Kryemadhi.

Myslim Murrizi dhe Pjerin Ndreu, duke kaluar kordonin e policisë pranë Ministrisë së Brendshme, për të hyrë në një seancë parlamentare/ Foto LSA

Prania juaj në Parlament, po përdoret si një kartë e mazhorancës, madje dhe në arenën ndërkombëtare. Ditët e fundit pati një takim të kryeparlamentarit Gramoz Ruçi në Holandë, ku ai u kërkoi përfaqësuesve të Parlamentit të këtij shtetit skeptik, çeljen e negociatave. Në këtë delegacion e pranishme ishte e pranishme deputetja Rudina Hajdari, e cila kërkoi hapjen e negociatave me Shqipërinë. A i mbështesni ju këto deklarata të zonjës Hajdari gjatë lobimit që kanë bërë çeljen e negociatave?

Së pari unë mbështes çdo nismë që vendi im të jetë pjesë e familjes europiane, sepse nuk jam në PD apo në politikë me porosi të Ramiz Alisë, Xhelil Gjonit, apo me urdhër të ish- Sigurimit të Shtetit. Nuk vij nga radhët e ish Partisë së Punës e as si spiun i sigurimit. Jam nga dhjetori i viti '90 në politikë, si ish-student Dhjetori dhe parullat e para që janë hedhur nga studentët, por dhe nga qindra mijëra shqiptarë kanë qenë "E duam Shqipërinë si gjithë Europa". E vërteta e hidhur është se klasa politike shqiptare, por sidomos elita politike vendimmarrëse prej 29 vitesh nga të dyja apo tre anët e tepsisë nuk e duan dhe nuk e kanë dashur kurrë seriozisht futjen e Shqipërisë në Europë, sepse ju rrezikohen pasuritë e vjedhura marramendëse dhe ju bie qenia pronar të pushtetit.

Sa për përdorje të jeni të bindur dhe të sigurtë që nuk kanë nevojë të përdorin askënd se kanë pasur dhe kanë marrëveshje perfekte me njëri-tjetrin prej vitit 1991 dhe e zbatojnë fiks siç e kanë marrë porosinë.

Ju keni një peshë të madhe në vendimmarrjen, pasi vota e deputetëve të opozitës që është në Parlament do të ndikojë në dhe në reformën zgjedhore, për ndryshimin e sistemit, një kusht i panegociueshëm i juaji, si dhe ligjet me shumicë të cilësuar. Kohët e fundit mazhoranca ka marrë nismën për ndryshimin e Kodit Penal, ku kryefjala është burgu për ato që dhunojnë zgjedhjet apo dhe bllokojnë rrugët? A do t’i votoni ju si opozitë këto ndryshime të Kodit Penal, që duken si një “kamxhik” ndaj opozitës?

Për të qartësuar edhe gojëhalet që kanë kohë që nuk lënë hamendësime pa hedhur në tregun mediatik si të vërtetë se ne nuk bëjmë dot gjë se ne nuk kemi numrat, se ne nuk jemi të gjithë në bllok për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Para 3 ditësh 38 deputetë të opozitës nënshkruan për ndryshimin e sistemit zgjedhor që Rama e Basha nuk e kanë dashur kurrë se u bie pashallëku për të mbajtur rreth vetes servilë e kllounë që nuk i voton as familja e tyre. Kodi Penal nuk bëhet me arnime, por duhet ndryshuar komplet se kemi një Kod Penal të vitit 1995. Pra  kemi 24 vjet që politika arnon, sipas interesave të momentit të atij që ka pasur shumicën. Unë, por besoj e gjithë opozita do të votoj kundra këtyre arnimeve të Kodit Penal.

Shqipëria është në një krizë politike, PD, LSI dhe aleatët e saj kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet vendore madje kanë kërcënuar se nuk do të ketë votime më 30 qershor. A mendoni ju se do të ketë një proces zgjedhor dhe a jeni pro idesë për shtyrjen e datës së zgjedhjeve së hedhur nga PD-ja dhe aleatët e saj?

Demokracia funksionon me votë dhe vota ka vlerë kur ka garë, ka betejë elektorale, ka alternativa për të zgjedhur. Mosmarrja pjesë në zgjedhje me dëshire është proces i dëmshëm për demokracinë, por jo antikushtetues. Secili pas 12 dhjetorit '90 vendos vetë nëse shkon në votime apo jo. Nuk shoh se ka qenë kërkesë e PD dhe LSI shtyrja e zgjedhjeve prej shkurtit, por ikja e Ramës si kryeministër. Ndaj habitem shumë me këtë kërkesë të artikuluar mes rreshtash kohët e fundit si spurdhjakë politikë që herë bëjnë gangon e herë bëjnë langon. Unë nuk jam për shtyrjen e datës së votimeve. Them votime se duke qenë në proces vetëm njëri krah i politikës në mbi 40 bashki do të thotë që  nuk ka se çfarë të zgjedhin qytetarët, veçse të votojnë, ose jo kandidatin që është regjistruar.

Por, mbase ka ardhur koha që një pjesë e gjysmës së mollës së kalbur të prishet e pastaj të prishet dhe gjysma tjetër e për shqiptarët të lind një alternativë tjetër politike me të dy krahët e saj, me një klasë politike që nuk i lidh gjë as me komunizmin, as me sigurimin e as me makuterinë e madhe e të pa ngopur për të marrë çdo gjë nga taksat e qytetarëve për veten e tyre. Mbase fundi i erdhi dhe një pjese edhe pse e vogël duhet të paguaj me burg çfarë ka vjedhur në këtë vend prej 29 vitesh.

Keni deklaruar në media se do të mbështesni kandidatë të caktuar në zgjedhje lokale. A mund të na thoni se cilët do të jenë ato kandidatë që ju do t’i mbështesni dhe a i përkasin këto forcës së politike Bindja Demokratike?

Kam deklaruar se do të mbështes çdo kandidat të pavarur të djathtë, sidomos nga këta që ishin në krye të bashkive nga PD. Por këta u vunë në rresht të mashtruar si kandidatë të shpallur nga Basha, por se për cilin vit do të jenë kandidat, ata e dinë. Nuk kam asnjë lidhje me asnjë forcë tjetër politike, cilado qoftë ajo.

Keni ndarë bindjen se dorëzimi i mandateve ka qenë i gabuar nga PD-ja. Sipas jush si mundet të zgjidhet kriza politike në vend dhe ai i shihni të realizueshme kushtet e opozitës, për largim të Edi Ramës nga posti i kryeministrit, krijimin e një qeveria tranzitore dhe çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme?

Në demokraci nuk zgjidhet asgjë me ikje nga institucionet dhe as me ikje me vrap si legen, derisa të thyesh qafën nga frika e një pushteti që i ke dalë përballë atij. Përballja me çdo formë e çdo mjet demokratik është baza mbi të cilin prej mbi 200 vitesh funksionon demokracia. Djegia e mandateve është vetëvrasje politike që nuk jep asnjë zgjidhje. Ne duhet të ishim në Parlament, duhet të ishim në protestë dhe absolutisht që nga janari duhet të kishim nisur fushatën. E po të garantoj që do të fitonim mbi 25 bashki nga 15 që kemi sot. Do të fitonim Lushnjën, Durrësin, Elbasanin, Dibrën si bashki të mëdha, por jo me kandidatë të variantit të oborrit dhe të rekomanduar nga qentë që lehin tek kafja e PD dhe prej aty jua dëgjon të lehurën Basha dhe e bën lehjen vendim, por me individ që kanë mbështetje në bazë tek demokratët e qytetarët. Se duke dëgjuar ata lehes dhe një grusht konesh që ka grumbulluar rreth vetes në Kryesi prishi edhe degët më funksionale të Partisë Demokratike. Nuk bëhet stan me lepuj, e as parti me servilë e debilë e as qeveri me hajdutë që janë larguar nga vota e shqiptarëve si të tillë e mendojnë se janë harruar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë