Analize

Muri i (Berl)integrimit…

Mentor Kasa - Për udhëheqësit komunistë në Shqipëri, shembja e Murit të Berlinit në ngjarjet e 9 nëntorit 1989 ishte akti i radhës i “revizionizmit imperalist dhe tradhtimit të idealeve” të vendeve komuniste të bllokut lindor, ndaj nuk përbënte lajm. Për ta, më shumë lajm përbënte fati i Nikola Çausheskut në Rumani, sesa shembja e murit simbol që ndante dy sisteme.

Në njërën anë të atij muri qëndronin njerëzit e lirë, në anën tjetër të burgosurit e një regjimi që u kufizonte deri tek të drejtat themelore, që sot as konceptohet se mund të refuzohen. Akti pasoi një efekt domino në të gjithë Europën Lindore dhe vetë Bashkimin Sovjetik. Dominoja e fundit që ra ishte regjimi në Shqipëri.

Shembja e murit të Berlinit në Gjermani u prit pa bujë në Shqipërinë e vitit 1989. Gazeta Si, 9 nëntor 2019

Me thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, studentë dhe qytetarë, nën shembullin e gjermano-lindorëve morën guximin dhe dolën në sheshet dhe rrugët e Tiranës, Shkodrës dhe Kavajës për të kërkuar pluralizimin politik. Kërkuan pluralizimin me bindjen se bashkë me të do të vinin edhe liritë dhe vlerat Perëndimore.

Pluralizmi erdhi, por a erdhën vlerat dhe standardet e Perëndimit në Shqipëri? Shumë nga protagonistët e protestave të atyre viteve as që e kalonin nëpër mend se tre dekada nga shembja e Murit të Berlinit, Shqipëria do të vazhdonte të endej në labirintin e përpjekjeve për t’u bërë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian.

Protestat studentore të dhjetorit 1991. Gazeta "Si", 11 nëntor 2019

Të gjithë prisnin ndërtimin e urave që do të shkurtonin rrugën për në Bruksel, por për tre dekada përveç urave, politika shqiptare, interesat e së cilës jo rrallë kanë ecur në drejtim të kundërt me interesat e qytetarëve, ia ka dalë mbanë që të ndërtojë mure virtuale. Ndërtoi mure kur BE i kërkonte luftë ndaj korrupsionit dhe trafikut të njerëzve, vazhdoi më pas me gurët e vendosur kur Brukseli kërkonte luftë ndaj krimit të organizuar dhe sërish korrupsionit, sidomos atij në nivel të lartë.

Kërkesa për luftë ndaj korrupsionit dhe krimit mbetet e përhershme prej më shumë se dy dekadash thuajse në të gjitha raportet e Bashkimit Europian. Tirana bënte dhe duket sikur bën ende se i dëgjon këto raporte dhe se po lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe nga ana tjetër BE i përgjigjet duke bërë sikur po e afron.

Ish-Kryeministri Sali Berisha dorëzon në Pragë aplikimin në prill të 2009 presidencës çeke të BE për marrjen e statusit të vendit kandidat. Gazeta "Si", 9 nëntor 2019

Kjo është “tangoja” e vallëzuar dyshe për vite me radhë, ku janë kaluar me dhjetëra e dhjetëra akte, vendime, ligje, ratifikime e reforma me emërues të përbashkët “se i kërkon BE”. Por më shumë se çfarë shkruhet në letër, koha ka provuar se ka rëndësi ajo se çfarë zbatohet.

Ndaj, për gjermanët duket se tingëllon e çuditshme se si mund të kërkosh sot që të afrohesh me Bashkimin Europian, kur të mungon institucioni themelor që mbron të drejtat bazike të njeriut, siç është Gjykata Kushtetuese? U duket e habitshme dhe e guximshme që të afrojnë me një hap tjetër një vend aspirant që nuk është në gjendje të realizojë një palë zgjedhje të pakontestuara.

Për këtë arsye, dy kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman para se të vendoste për hapjen e negociatave lidhen drejtpërdrejtë me ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me reformën zgjedhore.

Kjo është hera e parë që një vend anëtar i BE-së (jo dosido, por vetë Gjermania), vendos si kusht rikthimin në funksion të një institucioni. Kjo në vetvete sugjeron se janë bërë hapa pas në procesin e integrimit. Në Tiranë u mbrojtën duke deklaruar se mungesa e Gjykatës Kushtetuese ishte “efekt anësor” i reformës në drejtësi, një tjetër kërkesë e BE-së dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Reforma në drejtësi vërtet ishte kërkesë e mirëpritur nga pjesa dërrmuese e shqiptarëve dhe e mbështetur nga SHBA dhe BE, por për zvarritjen e saj asnjëra prej tyre nuk i kishte imagjinuar se sa larg do të shkonin lojërat e politikës shqiptare, madje edhe për ta sabotuar këtë reformë.

A është faji i reformës në drejtësi që Shqipëria sot nuk ka funksionale as një Gjykatë Kushtetuese dhe as një Gjykatë të Lartë? Jo! Afatet e vendosura nga reforma në drejtësi për ngritjen e këtyre institucioneve janë kaluar e tejkaluar disa herë me arsye nga më të çuditshmet, ku janë bërë palë edhe vetë institucionet e reja të dala nga reforma në drejtësi.

Ish-ambasadori amerikan, Donald Lu dhe ish-ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin duke ndjekur një seancë parlamentare mbi reformën në drejtësi. Gazeta "Si", 9 nëntor 2019

Ajo çfarë ka bërë BE dhe SHBA përballë kësaj ka qenë një sy qorr dhe një vesh shurdh, që është interpretuar si qëndrim për të mos cenuar një prej reformave më fort të mbështetura prej tyre dhe prej vetë shqiptarëve. Pikërisht ky qëndrim ka kontrubuar edhe në uljen e besueshmërisë së qytetarëve tek kjo reformë, siç e tregon edhe një sondazh i realizuar në fund të 2018.

Megjithatë, pavarësisht se themelet e mureve virtuale që pengojnë integrimin i gjen gjithmonë në Tiranë, një kontribut të veçantë në lartësimin e këtyre mureve ka dhënë herë me dashje dhe herë pa dashje edhe vetë Bashkimi Europian dhe vendet anëtare të tij.

Guri i fundit në këtë mur u vendos jo më larg se 18 tetori, kur Presidenti francez nuk pranoi të vendoste mbi bazën e progresit në plotësimin e kushteve për hapjen e negociatave, apo jo me Shqipërinë, por mbi një pretekst që pak qëndron; atë të azilantëve.

Që ka shqiptarë që kërkojnë azil në vendet anëtare të BE-së kjo nuk diskutohet, por kjo nuk mund të shërbejë si arsye për të bllokuar ambicien e një populli kur sheh se edhe sot, 3 dekada nga rrëzimi i Murit të Berlinit gjen ende me shumicë gjermano-lindorë që e ndjejnë veten si qytetarë të dorës së dytë në Gjermaninë e bashkuar.

Për shqiptarët 3 dekada nga thirrja e Ronald Reganit "Zoti Gorbachov, shembeni këtë mur!", duke ndonjëherë duken shumë pak. Ata vazhdojnë të thërrasin në Tiranë: “Shembeni murin e integrimit!”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë