Lojëra me Dore

Muçova thyen çdo parashikim, eliminon Sabalenkën dhe shkon në finalen e Roland Garros

Gazeta Si – Numri 2 në botë, përpara 5-2 dhe me shansin për të mbyllur ndeshjen, u eliminua nga tenistja çeke, surpriza e turneut, që do të luftojë për trofeun në finale ndaj numrit 1 Iga Shviatek.

Deshperimi i Sabalenkes pas eliminimit. Gazeta Si, 8 qershor 2023

Kundër çdo parashikimi, Karolina Muçova do të luajë në finalen e Roland Garros, ku ka mundësinë të fitojë trofeun e parë Slam në karrierë. Tenistja çeke, numri 43 në botë, mundi Arina Sabalenkën 7-6, 6-7, 7-5, duke luajtur një ndeshje të paharrueshme, mes tenisit total, një përmbysjeje të pamundur 5-2 dhe një ‘match point’-i të shpëtuar.

Tani duhet të mundë kampionen në fuqi Iga Shviatek, e cila eliminoi në gjysmëfinalen tjetër 6-2 dhe 7-6 Beatriz Hadad Maia. Tenistja polake jo vetëm garantoi mundësinë për të mbrojtur titullin, por pas humbjes së Sabalenkës është e sigurt në vendin e parë të renditjes botërore, cilido qoftë rezultati i finales.

Nëse Philippe Chatrier do të ishte një teatër, publiku parisien do të ngrihej në këmbë dhe do të kërkonte përsëritjen. Muçova mundi Sabalenkën, duke iu përgjigjur potencës së bjellorueses me prekje artisteje dhe një gjeniu të lojës. Sabalenka provoi gjithçka, nga të gjitha anët, më shumë se zakonisht, por nuk ia doli. Ajo bëri edhe një vetvrasje sportive, duke shpërdoruar një ‘match point’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë