Ka ndodhur

Moti i keq, vështirësohet qarkullimi në bypass-in e Rrugës së Arbrit

Gazeta Si - Për shkak të kushteve të motit me reshje shiu dhe dëbore, në disa akse dhe segmente rrugore të vendit janë krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve, kryesisht në bypass-in e Rrugës së Arbrit dhe në Qafë Murriz, ku është vështirësuar qarkullimi i automjeteve.

Duke parë që në fundjavë ka lëvizje të shtuara drejt zonave turistike dhe atyre bregdetare, si dhe për shkak të motit të keq, Policia e Shtetit ka rritur prezencën në të gjitha rrugët e vendit, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, si dhe për t’u ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës, në rast nevoje, për shkak të motit të keq.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të rrisin kujdesin gjatë kalimit në të gjitha akset rrugore, pasi ka prezencë të ujit dhe të dëborës, të vendosin rripin e sigurimit, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos qarkullojnë me shpejtësi, të mos kryejnë parakalime dhe të mos drejtojnë mjetin nën ndikimin e alkoolit apo më keq akoma në gjendje të dehur.

Në zonat malore drejtuesit e mjeteve duhet të përdorin gomat dimërore dhe në çdo rast të kenë me vete pajisjet anti-rrëshqitëse.

Për çdo nevojë dhe problematikë telefononi në 112 ose dërgoni mesazhe në Komisariatin Dixhital, ju garantojmë ndihmë të menjëhershme nga ana e shërbimeve të Policisë Rrugore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë