Ka ndodhur

Moti i keq shkakton probleme në Veri të vendit, rrëshqitje dherash dhe zona pa energji elektrike

Gazeta Si - Moti i keq, i shoqëruar me reshje të dendura shiu dhe rrëshqitje dherash ka shkaktuar probleme serioze në zonat veriore të vendit.

Në rrugën e Dukagjinit, në Bashkinë e Shkodrës, ka pasur rrëshqitje dherash e gurësh, për të cilat do të punohet sot përmes një fadrome për largimin e tyre.

ARRSH ka njoftuar akset që përbëjnë rrezik në qarkullimin e mjeteve si dhe ato në të cilat kalohet pa probleme.

"Në Rajonin Verior reshjet kanë qenë me intensitet më të lartë duke sjellë rënie gurësh e inertesh në trup të rrugës si në: Tamarë-Vermosh, Hani Hotit-Tamarë, në Valbonë nga km 3 deri në km 10.

Ndërkohë në Theth një natë më parë pati prurje të shumta të lumit të Shalës, por pa pasoja të rënda.

Ura që lidh fshatin Theth me Ndërlysaj, nuk është dëmtuar nga reshjet, por firma që po punon për rrugën e re atje, ka ndërhyrë pasi do të bëjë rikonstruksionin e plotë të urës.

Në disa zona ka pasur dhe shkëputje të energjisë elektrike si pasojë e linjave të amortizuara.

Moti i keq me reshje shiu dhe stuhi ka krijuar problemet e para në qarkun e Lezhës.

Në Shëngjin uji ka vërshuar në rrugë, duke krijuar vështirësi në lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve.

Ndërkohë janë dëmtuar linjat elektrike e për pasojë kanë ngelur pa energji elektrike fshatrat e Zadrimës.

Në Bashkinë Mirditë, probleme ka pasur në Bukmirë, ku për shkak të reshjeve të dendura, ka pasur rrëshqitje të gurëve duke bllokuar qarkullimin e automjeteve.

Probleme ka pasur edhe me energjinë elektrike, e cila është ndërprerë në disa zona.

Banorët shprehen se e kanë pasur të pa mundur t’i dërgojnë fëmijët në shkollë, dhe thonë se kjo situatë përsëritet shpesh në rast të reshjeve të dendura të shiut.

Reshjet e orëve të fundit kanë shkaktuar probleme edhe në disa fshatra të Pukës.

Urat lidhëse të disa fshatrave janë dëmtuar si pasojë e prurjeve të përrenjve, ndërkohë që ka pasur probleme edhe me ujësjellësit, të cilët në disa zona kanë dalë jashtë funksionit.

Ndërsa në Dibër, shirat kanë shkaktuar problematika ndërsa segmenti i rrugës Arbrit Bulqizë-Peshkopi ka pak rënie gurësh duke shkaktuar probleme në qarkullimin e mjeteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë