Ka ndodhur

Moti i keq/ Rrëshqitje gurësh në disa akse në Gjirokastër. Dëborë në malet e Kukësit, bllokohet rruga drejt Thethit (Video)

Moti i keq me erë, shi dhe stuhi, ka shkaktuar problemet e para në disa akse rrugore të vendit, ku në zonat verilindore kryesisht në Kukës, kanë nisur edhe reshjet e para të borës.

Në Gjirokastër, ka pasur probleme me rrëshqitjen e gurëve në disa akse, si në rrugën Kolonjë-Golem, ku inertet e rëna nga lartësitë si pasojë e shirave kanë krijuar bllokimin e rrugës, ndërsa në Tepelenë e Memaliaj disa fshatra kanë mbetur pa energji elektrike.

Situatë problematike ka pasur gjatë natës në Gjirokastër, ku ka dalë nga shtrati përroi i Lënxës në fshatin Lazarat, duke krijuar probleme në qarkullimin e njerëzve dhe makinave që lidhin dy lagjet kryesore të këtij fshati.

Punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve kanë punuar me skrep për të hequr inertet që kishin uzurpuar rrugën dhe situata duket drejt normalizimit.

Sipas ARRSH, akset më problematike janë: Bajram Curri–Valbonë, Kukës–Ura e Zapodit, Kukës–Bushtricë, Elbasan-Gjinar, Librazhd-Steblevë, Qafë Muzinë-Qafë Dushk–Peshkopi, Librazhd–Përrenjas,Elbasan–Qafë Thanë dhe në Llogara. ARRSH njofton se po punohet për pastrimin e akseve, ndërsa të gjitha janë të kalueshme.

Në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne, në Kukës kanë nisur reshjet e para të borës, sidomos në zonat e thella malore si Novosej, Shishtavec, Borje e Topojan, ku temperaturat janë ulur ndjeshëm.

Nuk raportohen problematika apo ndërprerjeve të energjisë elektrike. Dëborë ka rënë edhe në malin e Gjallicës dhe sipas metereologëve pritet që në ditët në vijim të zbresë edhe zonat e ulëta poshtë saj.

Ndërkaq, qyteti i Kukësit  në 24 orët e fundit është përfshi nga moti i keq me reshje shiu të dendura po pa sjellë problematika.

Sipas autoriteteve lokale, rrugët nacionale janë të qarkullueshme normalisht. Ka pasur rënie inertesh në disa segmente rruge, por është bërë e mundur pastrimi i tyre pa penguar qarkullimin.

Në zonën veriore të vendit, dëbora ka bllokuar edhe rrugën që të çon në pikën turistike të Thethit. Prej katër ditësh i gjithë qarku i Shkodrës është përfshirë nga moti i keq me reshje të dendura shiu në 5 bashkitë, ndërsa në zonat malore nuk kanë munguar reshjet e dëborës.

Probleme për shkak të motit të keq, ka edhe në Kelmend të Malësisë së Madhe, në pikat turistike të Vermoshit dhe Lëpushës.

Era e fortë dëmtoi rrjetin dhe për pasojë, sot është dita e katërt që e gjithë zona është në errësirë. Turistët në fundjavë u detyruan të ktheheshin pas, pavarësisht rezervimeve.

Këtë të hënë edhe në Kelmend u rikthyen reshjet e dëborës, ndërkaq një borëpastruese po bën të mundur mbajtjen hapur të aksit rrugor nga Tamara për në Lëpushë dhe Vermosh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë