Pas Italisë, moti i keq ka mbërritur edhe në vendin tonë. Shqipëria sot është përfshirë nga reshjet. Por, probleme më të mëdha ka pasur qyteti i Vlorës dhe Durrësit, ku disa rrugë janë përmbytur. Qarkullimi i këmbësorëve dhe automjeteve është vështirësuar ndjeshëm. Intensiteti i reshjeve, si dhe amortizimi e bllokimi i rrjetit kullues nga mbetjet, e ka lënë ujin në sipërfaqe.
Deri më tani, nuk raportohet të ketë probleme me energjinë elektrike në vend, përveç problemeve me lundrimin detar.
Në Vlorë trageti i linjës Vlorë-Brindisi nuk është nisur që prej ditës së djeshme, ndërsa akoma nuk ka informacione për nisjen e tij sot nga Vlora në drejtim të Brindisit, pasi erërat e forta kanë bërë që dallgët në det të hapur të arrijnë deri në 8 ballë.
Situata problematike është edhe në Durrës, por dy tragete, të cilët duhet të ishin nisur në orën 2 të mëngjesit nga Bari, janë nisur sot në mëngjes si pasojë e motit të keq që ka përfshirë Italinë.
Ndërkohë, Kapitaneria e Përgjithshme u ka dërguar një urdhër autoriteteve të 4 porteve në vend, pasi do të ketë një përkeqësim të situatës në det përgjatë 48 orëve të ardhshme. Kërkohet që të ndalohet lëvizja e mjeteve të vogla në det. Po njoftohen të gjitha agjencitë, tragetet, peshkarexhat dhe anijet e transportit të mallrave për situatën e përkeqësuar dhe të marrin masa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.