Ka ndodhur

Moti i keq në vend, situata më problematike në Kukës e Skrapar

Vijon të jetë problematike situata me reshjet në disa zona të vendit.
Gjatë natës në gjithë territorin e Qarkut Kukës, ka pasur erë të fortë, reshje shiu me intensitet të lartë dhe borë në lartësinë mbi 500 m.
Trashësia e borës në Shishtavec dhe Valbonë ka arritur në 15 cm, kurse rrugët nacionale janë të kalueshme normalisht.
Ndërkohë, po punohet me gjatë gjithë kohës për pastrimin e borës, largimin e gurëve dhe inerteve të rëna në disa segmente rruge, kriposjen dhe mbajtjen funksionale të tyre.
Rrugët rurale në administrim të bashkive janë të qarkullueshme, gjendja e rezervuarve është nën monitorim në të gjithë Qarkun, furnizimi me ujë të pijshëm dhe energji është normal në të gjithë Qarkun Kukës dhe nuk ka ndonjë problematikë emergjente.

Ndërkohë problematike situata nga reshjet e dëborës vijon të jetë në Skrapar. Reshjet e pandërprera gjatë gjithë natës kanë shkaktuar probleme me lëvizjen e automjeteve në disa akse malore. Ndërkohë që rruga nacionale Berat-Skrapar është e kalueshme, rrugët drejt fshatrave Potom, Baçkë, Leshnje, Gradec, Çukë dhe Qafë-Dërvi kalohen vetëm me zinxhirë.

Reshje bore në Skrapar

Dëbora ka shkaktuar edhe dëmtime të rrjetit të energjisë elektrike, ku për shkak të dëmtimit të fidrit elektrik të fshatit Potom, prej më shumë se 48 orësh janë pa drita 4 fshatrat Leshnje, Gostenc, Kushovë dhe Faqekuq. Sipas konstatimeve në zonë, rruga më e vështirë për të qarkulluar është rruga Kapinovë-Tomorr, rruga drejt Teqesë së Abaz Aliut dhe rruga drejt fshatit Novaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë