Ka ndodhur

Moti i keq/ Ishte nisur drejt Barit, trageti me 173 pasagjerë përplas anijen në Portin e Durrësit

Për shkak të motit të keq, një incident ka ndodhur në portin e Durrësit, ku trageti ‘Ventouris’ është përplasur me anijen e mallrave 'Professor B'.

Trageti, i cili ishte nisur drejt Barit të Italisë, mbante me vete 173 pasagjerë, 34 makina dhe 20 kamionë. Ngjarja ndodhi pak para mesnatës te bankina tregtare në Portin e Durrësit.

Nga ngjarja nuk ka persona të lënduar, ndërkohë për të drejtuar tragetin u deshën 2 rimorkiatorë në mënyrë që të kthehej në drejtimin normal.

Pas rënies së rrezikut dhe kthimit në gjendje normale të tragetit, 2 rimorkatorët e kanë shoqëruar tragetin 'Ventouris' drejt bankinës tregtare duke anuluar udhëtimin me destinacion Barin për një defekt te motorët.

Pikërisht për shkak të motit të keq që ka përfshirë vendin, autoritetet portuale në Durrës vendosën dy ditë më parë që ndalojnë lundrimin e mjeteve të vogla dhe ato të peshkimit për shkak të dallgëzimit të madh në det.

Udhëtimi i këtyre mjeteve do të jetë i ndaluar deri në fund të muajit nëntor, ku pritet që te këtë edhe një përmirësim të kushteve të motit. 

Nga ky urdhër ndalimi i lundrimit nuk janë prekur anijet e pasagjerëve apo anijet e tjera, të cilat nuk kanë asnjë kufizim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë