Reshjet e shiut gjatë natës dhe shtimi i lëvizjeve në drejtim të bregdetit ka shkaktuar anomali përgjatë orëve të paradites së të hënës në akset kryesore rrugore në veri të vendit. Karvani me makina të bllokuara në trafik u zgjat nga mbikalimi i Fushë-Krujës deri pranë Urës së Milotit.
Sicc shihet në pamjet e siguruara nga Gazeta “Si” trafik të rënduar ka patur në të dyja kahet e Rrugës së Kombit. Trafiku nisi që tek mbikalimi i Fushë-Krujës, ku kryqëzohen dy akse kryesore që lidhin veriun me Tiranë, ai në drejtim të Rinasit dhe tjetri në drejtim të Kamzës.
Nga policia bëjnë me dije se shkak i trafikut është edhe shtimi i lëvizjeve nga Durrësi në Drejtim të Kosovës dhe anasjelltas. Pushuesit ditorë nga Kosova, pasi kanë kaluar fundjavën në Shqipëri rikthehen në vendlindje, ndërkohë që të tjerë me muajin gusht në prag kanë marrë lejet vjetore dhe u drejtohen brigjeve shqiptare për të kaluar pushimet e tyre.
Vec shtimit të fluksit, në shkaktimin e trafikut ka ndikuar edhe moti i keq përgjatë natës. Në rrethinat e Krujës ARRSH thotë se ka patur shembje dherash dhe gurësh në rrugë, cka ka shtuar fluksin e automjeteve në drejtim të akseve kryesore.
Trafik i rënduar është regjistruar edhe në Lezhë. Në kahun lëvizës në drejtim të Tiranës, vargu i mjeteve të bllokuara tejkalonte një kilometër, ndërkohë që në kahun tjetër, atë për në drejtim të Shkodrës lëvizja ishte më e lirë.
Situata është normalizuar disi pas mesditës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.