Ana e errët

‘Mos e kruaj shumë me mua’, i riu ndihet i kërcënuar pas garës së pëllumbave

Në vendin tonë, një grup të rinjsh kanë ngritur një shoqatë përmes të cilës organizojnë aktivitete për garën e pëllumbave dhe e gjitha lidhet me fluturimet, por edhe pasionin për rritjen e tyre.

Por megjithëse pëllumbi është shpendi i paqes, nuk ka rrjedhur kaq qetësisht gara midis disa prej tyre, që pas mosmarrëveshjeve dhe mos pëlqimeve, kanë përfunduar jo vetëm në kanosje, por edhe në dyert e policisë.

Sipas një burimi të Gazetasi.al, denoncimi kësaj radhe është dërguar përmes postës dhe ka si dërgues shtetasin A.K. Ai tregoi më pas historinë me pëllumba që të rinjtë i rrisin dhe i kanë përfshirë në një kompeticion garash.

“Jam sekretar i përgjithshëm i shoqatës pëllumbat e postës 2003 dhe merremi me  organizimin e garave të pëllumbave, si brenda dhe jashtë vendit”, - rrëfen denoncuesi.

Ai shton se gara të kësaj natyre zhvillohen edhe në bashkëpunim me një shoqatë tjetër, që e ka selinë në qytetin e Vlorës.

Sipas rregullores së shoqatës, lojtarët që marrin pjesë në garat e zhvilluara nga shoqata tjetër, përjashtohen nga aktivitetet, ku ankuesi mban detyrën e organizatorit.

“Disa ditë përpara kallëzimit, shoqata tjetër publikoi listën e lojtarëve që kishin marrë pjesë në garën e zhvilluar prej tyre, listë në të cilën ishte edhe njëri nga lojtarët e shoqatës Pëllumbat e Postës”, - këmbëngul A.K.

Kulmi ka qenë kur njëri nga të rinjtë e angazhuar për mirëmbajtjen e llogarisë në Facebook, ka publikuar këtë listë dhe denoncuesi përdori opsionin ‘share’ për të shpërndarë.

“Pas kësaj mora në telefon mesazhe nga shtetasi B.H., që më shkruante, ‘mos e kruaj shumë me mua, po të them se do bëhesh pishman për tërë jetën. Është lajmërimi i parë dhe i fundit , do të bëj të mos e njohësh  më veten kush je, ok?’”.

Një orë më vonë, telefoni i shefit të pëllumbave të Tiranë, ka rënë sërish. Përsëri me një mesazh kanosës: “Po nuk e hoqe për një minutë atë që ke publikuar, do merrem me ty, kaq po të them”. A.K., përmend se ka pasur kontradikta me shtetasin nga Vlora dhe pas këtij çasti ndihet i kërcënuar.

Pasi kanë kryer të gjitha veprimet, oficerët e policisë deklarojnë për Gazetasi.al, se me vetëm këto të dhëna nuk ka elementë të kërcënimit për jetën dhe as të kanosjes, pasi megjithë kohën që ka kaluar, tekst-shkruesi nuk ka kryer asnjë veprim tjetër kërcënues për jetën e të riut.

Megjthatë, bëhet me dije se pas një sërë veprimesh dhe mbajtjeje nën vëzhgim të telefonit dhe të të akuzuarit, policia i thotë Gazetasi.al, se çështjen do ta referojë në prokurori, e cila do të vendosë nëse ka apo jo elementë të tjerë për t’u hetuar dhe për të ngritur një akuzë, sidomos kur përplasjet nisin për sportin e pëllumbave dhe pasionit për të.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë