Bota

Morawiecki humb votëbesimin në Parlament, Donald Tusk kryeministri i ri i Polonisë

Gazeta Si - Donald Tusk është zgjedhur nga parlamenti polak si kreu i ri i Këshillit të Ministrave. Pro kryeministrit të ri, votuan 248 deputetë, kundrejt 201 deputetëve. Prezantimi i programit të tij pritet nesër.

“Dua të falënderoj gratë dhe burrat polakë. Faleminderit Poloni, kjo është një ditë e mrekullueshme, jo për mua, por për të gjithë ata që në këto vite kanë besuar thellë se gjërat do të shkojnë edhe më mirë, se do të largojmë errësirën, se do të dëbojmë të keqen. Kjo është ajo që ndodhi”, tha Tusk, duke iu drejtuar Parlamentit të Varshavës.

“Ne do të rregullojmë gjithçka së bashku. Nga nesër do të mund të korrigjojmë gabimet në mënyrë që të gjithë, pa përjashtim, të ndihen si në shtëpinë tonë”.

Me liderin e qendrës, hapet rruga për një qeveri të re pro BE-së pas 8 vitesh qeverisje konservatore. Pas një fjalimi të shkurtër të Tusk, të gjithë deputetët u ngritën në këmbë për të kënduar himnin kombëtar.

Emërimi i Tusk vjen pothuajse dy muaj pas zgjedhjeve. Shumica parlamentare kishte fituar nga një koalicion partish, të udhëhequra nga Tusk, duke filluar nga e majta, deri te konservatorët e moderuar; partitë u paraqitën me lista të veçanta, por premtuan të punojnë së bashku nën udhëheqjen e Tusk për të rivendosur standardet demokratike dhe për të përmirësuar lidhjet me aleatët.

Presidenti polak Andrzej Duda, megjithatë, ia kishte besuar detyrën konservatorit Mateusz Morawiecki, lider i partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS), e cila kishte dalë si partia e parë në votime.

Morawiecki, megjithatë, nuk mori një votëbesim në Parlament dhe refuzimi i tij i hapi rrugën shumicës parlamentare për të votuar për Tusk si kryeministër.

“Urime Donald Tusk që u bë Kryeministër i Polonisë. Përvoja juaj dhe angazhimi i fortë ndaj vlerave tona evropiane do të jenë të paçmueshme në krijimin e një Evrope më të fortë, për të mirën e popullit polak. Mezi pres të punoj me ju, duke filluar me Këshillin Evropian të rëndësishëm të kësaj jave. Faleminderit Donald", - shkruan Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në rrjetin “X”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë