Lajme

“Monologu” online i Teatrit Metropol i shumëfishoi shikuesit

Nga Luljeta Nelallari - Ngrirja e çdo aktiviteti kulturor i ka gjetur artdashësit në këtë periudhë jo në skenat që do të dëshironin, por jo pa shfaqje.

Edhe pse publiku ka qenë larg ndenjëseve të sallave teatrore, Teatri Metropol ka arritur të qëndrojë pranë publikut dhe ka “shërbyer” një shfaqje tjetër duke afishuar online “Monolog: Teatër në Epokën e Izolimit”.

“Monologu” prej dy javësh vjen me interpretimin e aktorëve të Teatrit Metropol dhe jo vetëm (duke përfshirë dhe aktorët e jashtëm) një seri me monologë të Shekspirit nga gjithë vepra e tij.

Aktorja dhe regjisorja Armela Demaj shprehet për Gazetën “Si” se “Monologu” është konceptuar si një mënyrë e re komunikimi me publikun në situatën ku ndodhemi.

“Në kriza të mëdha lindin edhe rryma të reja, nuk besoj që kjo që ne bëmë me ‘Monologun’, është një rrymë e re, sepse është midis filmit dhe teatrit, por gjithsesi lindin mënyra të reja komunikimi”, shprehet Demaj, ndërsa shton se është përzgjedhur pikërisht Shekspiri duke e lidhur me traditën e Teatrit Metropol që jep një herë në vit një shfaqje të tij.

Aktorja Armela Demaj

“Menduam që duke qenë se ne kemi bërë një herë në vit një shfaqje të Shekspirit, do ishte mirë të merrnim monologët më të spikatur nga vepra të ndryshme të tij, si një buqetë e bukur për ta përcjellë  te publiku, i japim edhe letërsi të mirë, karaktere personazhesh të spikatura botërore që aktorët i kanë ëndërr t’i luajnë dhe regjisorët t’i vënë në skenë”, shprehet aktorja.

Janë përzgjedhur 30 monologët më të spikatur nga vepra e Shekspirit, duke filluar nga “Romeo e Zhuljeta”, “Rikardi III”, “Nata e 12”, “Ëndrra e një nate vere”, “Hamlet” “Makbeth” , “Mbreti Lir”, “Otello”, “Tregtari Venedikut”, “Jul Çezari”, “Shumë zhurmë për asgjë”, etj.  Këto monologë serviren për publikun çdo të enjte në rrjetet sociale të Teatrit Metropol.  Në këtë kohë reflektimi për të gjithë publiku përballet me tensione, pikëpyetje, dilema dhe luftëra të brendshme.

Kjo formë komunikimi për aktorin Roerd Toçe shërben edhe si një mundësi për të shprehur çdo gjë që është grumbulluar gjatë karantinës.

Aktori Roerd Toçe

“Kjo është një iniciativë shumë e mirë e Teatrit Metropol për të bashkuar një grup aktorësh, si të brendshëm dhe të jashtëm për të interpretuar disa monologë të shkëputur nga veprat e Shekspirit. Duke qenë se për mua, por edhe për shumë aktorë të tjerë kjo kohë ishte dhe disi vazhdon të jetë pasive në sensin artistik, është një mundësi shumë e mirë për të shprehur çdo gjë që kemi grumbulluar në karantinë dhe gjithashtu për t’u vënë në lëvizje dhe për t’u stërvitur me disa nga kryeveprat botërore”, shprehet aktori Roerd Toçe për Gazetën “Si”.

Demaj vë në pah se e veçanta e kësaj shfaqjeje është pikërisht ndërthurja e klasikes me modernen, jo vetëm në personazhe, por edhe në ndjesi.  

“Duke qenë se jetojmë në kohë moderne dhe ku mbizotëron jeta kibernetike, menduam t’i sillnim këto monologë në mënyrën e sotme, pavarësisht se ato janë shkruar 400 vjet më parë. Jo vetëm problematikat janë aktuale, por edhe karakteret e personazheve janë aktuale. Karakteri njerëzor ka qenë i pandryshueshëm që nga gjeneza dhe për ta bërë më të prekshme edhe te spektatori i ri, që ndoshta mund ta kishte të vështirë perceptimin nëse ne do t’i sillnim në periudhën klasike të tyre në periudhën shekspiriane. Syri i publikut sot është shumë i rrahur me modernen. Menduam që qasja më e prekshme do të ishte qasja urbane, që janë po këto personazhe si para 400 vjetësh, si tani. Kanë ndryshuar mënyrat e shprehjes, por ndjesitë janë njëlloj”, thotë Armela Demaj.       

Sa i përket interpretimit pa publik në këtë periudhë izolimi, Demaj thotë se kjo i vjen për shtat monologut, pasi përbën çastin më të vetmuar.

“Monologu është çasti më i vetmuar e aktorit në skenë. Edhe me një vepër me 50 personazhe, në momentin që ka një moment monologu ai është çasti më i vetmuar, sepse është vetëm ai me veten. Kjo qasje e vetmisë në skenë rezonon edhe me momentin që ne po kalojmë”, shprehet ajo, ndërsa thekson se “sikurse gjithsecili nga ne u izolua për hir të dashurisë dhe kjo është një formë artdashje, sepse pavarësisht izolimit vazhdojnë ta ndjekin dhe duan teatrin në këtë formë”.

“Nuk mund të themi tamam pa publik sepse që në momentin kur na u prezantua si ide, ky projekt do ishte një  ndërthurje midis teatrit dhe filmit, është bërë një punë masive nga stafi i Metropolit”, shton më tej aktori Toçe.

Aktorja Demaj përfundon se kjo mënyrë e re e komunikimit me publikun ka rezultuar e frytshme, pasi ndjekësit kanë qenë të shumtë dhe janë shumëfishuar.

“Në këto dy javë që e kemi nxjerrë, kemi parë shumë interes, nga numri i ndjekësve që i kanë parë videot, por dhe nga ata që na kanë shkruar dhe falënderuar për këtë komunikim. Kjo lidhet me shtrirjen e gjerë të teknologjisë. Shfaqja në këtë mënyrë është më e aksesueshme, pasi numri i ndenjëseve në Teatër është i caktuar. Po ashtu publikut nuk i duhet të bëjë pagesë për të parë shfaqjen”, thotë Demaj.

Këto monologë dhe galeria e personazheve thellësisht njerëzorë nga Shekspiri të krijuar 400 vjet më parë do të vijojnë të shfaqen dhe pse jo të shërbejnë si pararojë zhvillimesh edhe në shoqërinë tonë edhe për 5 javë të tjera në Teatrin Metropol.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë