Media Galeri

Monitorimi i shpendëve dimërues në Liqenet e Ohrit dhe Prespës

Mes një peisazhi magjepsës natyror, ku petku i dëborës së marsit përcolli akoma më shumë frymëzim, ekipi i PPNEA-s vijoi numërimin e shpendëve ujorë, që dimërojnë në liqenin e Prespës dhe të Ohrit, për të mundësuar marrjen e informacionit mbi periudhën e mbërritjes, largimit dhe përqëndrimin e këtyre popullatave dimëruese në këto liqene.

Gjatë këtij monitorimi ekipi i PPNEA-s hasi në mbi 20 lloje shpendësh ujorë dimërues në secilin liqen, ku interesante ka qenë vrojtimi i 8 individëve të rosës së madhe të zezë (Melanitta fusca) në liqenin e Ohrit, 15 individë të sqepbizës (Recurvirostra avosetta) në liqenin e Prespës, si dhe disa lloje më të rralla siç janë nori gushëzi (Gavia arctica), rosa me katër sy (Bucephala clangula), zhytraku i madh (Mergus merganser) dhe ai me çafkë (Mergus serrator).

Llojet e pranishme pothuajse çdo vit në secilën zonë janë rosat zhytëse, rosa laramane me çafkë, kryekuqja e mjeme, zhytkryekuqja e madhe, rosa e përhime etj.

Burimi: PPNEA


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë