Dosje

Moisi Habilaj dënohet edhe nga Gjykata e Lartë në Itali, por është ende në arrati

Gazeta Si - Drejtësia italiane ka dënuar përfundimisht me 15 vite e 5 muaj burg, Moisi Habilajn, raportojnë mediat italiane.

Vendimi ndaj tij ka marrë formë përfundimtare, pasi Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e avokatëve kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, duke lënë në fuqi dënimin ekzistues.

Habilaj akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike dhe grupit të strukturuar kriminal.

Ai u arrestua në vitin 2017 nga policia italiane së bashku me 11 persona të tjerë, të cilët kryenin transportin e drogës nga Shqipëria në Siçili.

LEXO EDHE:
- Ekskluzive/ Dosja e Prokurorisë. Diamantet, makina dhe skafi që lidhin Saimir Tahirin me Habilajt
- Rishfaqet Moisi Habilaj, si u miqësua me djalin e bosit të “Cosa Nostra”-s për trafikun e drogës

Pas më shumë se 3 vitesh në paraburgim në pritje të gjyqit, për 44-vjeçarin u caktua masa e sigurisë në “arrest shtëpie”.

Së bashku me Habilajn, përfunduan në pranga edhe 11 persona të tjerë. Arrestimi i tij shkaktoi “tërmet” politik në Shqipëri. Hetimi u zgjerua më tej dhe përfshiu edhe ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili gjithashtu ndodhet në burg duke vuajtur dënimin.

Tahiri ishe kushëri me Habilajt dhe akuzohet se i ka favorizuar, ndonëe ai i ka mohuar akuzat.

Habilaj, i cili e kishte bazën e tij të trafikut mes Katanias, Lentinit dhe krahinës së Raguzës, nuk do të shkojë pas hekurave të paktën për momentin.

Që nga fillimi i janarit 2021, trafikanti shqiptar i drogës është ende në arrati dhe nuk dihet se ku ndodhet.

Në verën e vitit 2020, 44-vjeçari u transferua pa byzylyk elektronik, në shtëpinë e vëllait të tij, Gazmedit, në Celantino.

Pasi kishte përcjellë bashkëshorten e tij, e cila u kthye në Shqipëri, Habilaj nuk gjendej në shtëpi pas kontrollit të zakonshëm të policisë.

Dosja e prokurorisë së Katanias ndaj Moisi Habilajt, u bë shkak për nisjen e hetimeve në Shqipëri ndaj ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Pas një procesi disa vjeçar, ai u dënua në shkurt të këtij viti me 3 vjet e 4 muaj burg për shpërdorim detyre.

Sipas gjykatës, ish-zyrtari u shpall fajtor pasi me veprime dhe mosveprime, kishte lejuar kanabizimin e vendit dhe kishte favorizuar grupin kriminal të kushërinjve të tij Artan e Moisi Habilaj, duke i lejuar përmes policisë që të kultivojnë drogë në Vlorë e ta trafikojnë atë drejt Italisë.

Prokuroria italiane e përgjoi Moisi Habilajn, duke folur me anëtarë të bandës së tij, teksa tregonte se i kishte blerë dhurata e bizhuteri familjarëve të Saimir Tahirit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë